Konferencë vjetore për sigurinë kibernetike e titulluar “Njerëz, besim, qëndrueshmëri: ndërtimi i sigurisë kibernetike për të gjithë” po mbahet prej dje në Shkup në kuadër të kryesimit të Maqedonisë së Veriut me OSBE-në.
“Siguria kibernetike dhe rritja e vetëdijes për t’u mbrojtur nga kërcënimet në rritje të sulmeve kibernetike janë pjesë e prioriteteve në agjendën e kryesimit të OSBE-së në vitin 2023”, thuhet në komunikatën e MPJ-së për konferencën.
Konferenca mes tjerash ka për qëllim ta forcojë sigurinë kibernetike dhe të ndërtojë një qasje kohezive politike midis aktorëve shtetërorë dhe palëve të tjera të interesuara, si sektori privat, komuniteti akademik dhe organizatat joqeveritare.
Konferenca do të shërbejë gjithashtu si një platformë për përfaqësuesit e vendeve pjesëmarrëse të OSBE-së, së bashku me organizatat partnere dhe palët tjera të interesuara që të kyçen në mënyrë aktive në diskutime thelbësore mbi këto tema.