Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, është takuar të martën me presidentin e Izraelit, Isaac Herzog si dhe me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.
Macron udhëtoi për në Tel Aviv për të shprehur solidaritetin me Izraelin. Duke folur për sulmet e 7 tetorit në takimin me presidentin Herzog, Macron ka thënë se Hamasi ka sulmuar izraelitët vetëm pse janë hebrenj.
“Këta njerëz u vranë vetëm sepse ishin hebrenj dhe sepse duan të jetojnë në paqe”, është shprehur Macron, raporton “Haaretz” të martën.
Presidenti francez ka ndarë pikëpamjen e përbashkët me homologun e tij Herzog, mbi lirimin e menjëhershëm të pengjeve pa asnjë dallim.
“Unë dua t’iu siguroj që ju nuk jeni vetëm në këtë luftë kundër terrorizmit”, ka shtuar Macron.
Emmanuel Macron është në mesin e liderëve të tjerë perëndimorë që e kanë vizituar Izraelin që nga 7 tetori. Më herët Izraelin e kanë vizituar lidërët e Greqisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë dhe SHBA-së.