LajmeMaqedoni

Zaev: Marrëveshja e Prespës është shembull i vërtetë i fuqisë së diplomacisë dhe dialogut

Marrëveshja e Prespës është shembull i vërtetë i fuqisë së diplomacisë dhe dialogut, shembull i dobishëm për shumë çështje të tjera të hapura, tha ish kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev gjatë pjesëmarrjes së tij në konferencën vjetore të Ekonomist në Greqi, duke theksuar se BE-ja ka shumë mjete për perspektivën evropiane, por nuk i shfrytëzon, njofton korrespondentja e MIA-s nga Athina.

Në panel diskutimin kushtuar “Thellimit të solidaritetit: si mund të dalë Evropa më e fuqishme nga trazirat aktuale gjeopolitike?”, Zaevi iu referua luftës në Ukrainë, situatës në Izrael, ndërsa u ndal edhe në rajonin, pra perspektivën e BE-së, nismën Ballkani i Hapur, por theksi u vendos në Marrëveshjen e Prespës si model për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, duke theksuar rëndësinë e dialogut dhe diplomacisë.

Ai tha se dialogu, diplomacia, pranimi i argumenteve të të tjerëve dhe kompromisi mbeten mjetet e vetme për zgjidhjen e konflikteve, diçka që politikanët ua detyrojnë qytetarëve për të ruajtur paqen.

“Suksesi nuk është i garantuar, por ajo që është e rëndësishme në këto situata është ruajtja e vullnetit për të arritur një zgjidhje përmes dialogut në momente kur duket se ka pikëpamje krejtësisht të ndryshme. Në këtë mënyrë atëherë kemi vepruar unë dhe Aleksis Cipras. Kemi pranuar që nuk do t’i shmangim, por do të përballemi me çështjet e vështira dhe do të gjejmë zgjidhje dhe kjo ndodhi”, theksoi Zaevi duke shtuar se zgjidhja u gjet me dialog, mirëkuptim të ndërsjellë dhe kompromis nga të dyja palët.

Ai theksoi se “arritja e marrëveshjeve që sjellin paqe dhe stabilitet kërkon një vizion dhe besim të qartë se problemet mund të zgjidhen, por poashtu nevojitet edhe qëndrueshmëri dhe këmbëngulje”.

Theksoi se pas Marrëveshjes së Prespës, Maqedonia e Veriut u bë anëtare e NATO-s, por edhe një hap më afër BE-së, ku Greqia është një mbështetëse e fuqishme.

“Të gjithë e dimë se Bashkimi Evropian, vendet evropiane janë shumë të fuqishme, kanë shumë mjete për të vepruar dhe mungesa e veprimit shkakton konflikte në të ardhmen. Për shembull, atëherë nuk ishte e lehtë për qytetarët grekë, për politikanët grekë, veçanërisht për qytetarët që jetonin në Maqedoninë greke të kuptonin se ekziston një Maqedoni tjetër, Maqedonia e Veriut, por edhe për ne të ndryshonim Kushtetutën, sepse ne ndryshuam emrin e vendit, por kjo sjell miq dhe parandalon konfliktet e ardhshme”, sqaroi Zaevi.

Ai shtoi se zgjidhja me Bullgarinë është në tavolinë, “por duhet një dialog më i madh brenda vendit, sepse opozita po bllokon vendimin parlamentar në rrugën tonë drejt BE-së”.

Ai iu referua edhe nismës Ballkani i Hapur, duke shpjeguar se tendenca është “të shndërrohet rajoni nga një zonë konflikti në një zonë miqësie dhe bashkëpunimi”, si dhe u ndal edhe tek ndikimi rus në rajon, gjegjësisht siç tha ai, “lufta speciale hibride e ndikimit në disa rajone”.

Në panel diskutimin, së bashku me ish kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, morën pjesë edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ish kryeministrja e Ukrainës Julia Timoshenko, ish presidenti dhe kryeministri i Armenisë Armen Sakisian, si dhe ish kryeministrja e diplomacisë greke dhe deputetja aktuale Dora Bakojani, ndërsa përmes një video-mesazhi iu drejtua të pranishmëve spikerja e nderit të Dhomës përfaqësuese të SHBA-së, Nansi Pelosi. 

Show More

Related Articles

Back to top button