LajmeMaqedoni

Sondazhi: Në vend s’ka demokraci, punët po shkojnë në drejtim të gabuar

Pavarësisht skepticizmit në rritje në lidhje me hyrjen e vendit në BE, 53% e të anketuarve të “Eurothink” pajtohen se hyrja në BE është një gjë e mirë për vendin, krahasuar me 49% që thanë në vitin 2022, kumtojnë studiuesit nga Qendra për Strategji Evropiane. Anketa e quajtur “Eurometar 2023” tregon se 55,8% e të anketuarve vlerësojnë se BE-ja ndaj Maqedonisë është e padrejtë, arrogante dhe shantazhon, ndërsa 27,5% thanë se marrëdhënia e BE-së me Maqedoninë është e drejtë, miqësore dhe korrekte. Drejtori i “Eurothink”-ut Dimitar Nikollovski, tha se shqiptarët janë shprehur më optimistët në vend.

“Krahasuar me parametrat etnik, apo urban-rural dhe arsimimin mund të vërehet se tek shqiptarët e anketuar cilësimi si ‘punë e mirë’ është shumë më i lartë se sa tek maqedonasit dhe etnitetet tjera. Dhe sërish, sipas përkatësisë etnike shohim që te shqiptarët dhe etnitete tjera shifrat janë më të larta që BE është opsioni më i mirë, kurse tek maqedonasit shohim kuotën 49,3% kur kërkohet opsion jashtë BE-së”, tha Dimitar Nikollovski, “Eurothink”.

Është shqetësuese që 30% e të anketuarve mendojnë se vendi nuk do të hyjë kurrë në BE, krahasuar me 12% që mendojnë se kjo do të ndodhë pas 5 deri në 9 vjet. Në pyetjen “Në përgjithësi, në çfarë drejtimi po lëvizin gjërat në Maqedoninë e Veriut”, 54,4% janë përgjigjur me “drejtim krejtësisht të gabuar”, ndërsa vetëm 12,6% “drejtim shumë i mirë”. Megjithatë, për 60,8% të të anketuarve, BE-ja është alternativa më e mirë për vendin, që është një rritje prej 2% në krahasim me vitin 2022, kur 58% u përgjigjën në këtë mënyrë. Ndërsa 35,6% besojnë se vendi duhet të kërkojë modelin e vet të zhvillimit jashtë BE-së, tha Violeta Gligorovksa nga “Eurothink”.

“35% e të anketuarave janë përgjigjur që duan të marrin informacione nga ekspertë për bisedimet me BE, 17,9% iu besojnë gazetarëve për t’i marr këto informacione, kurse vetëm 11,6% u përgjigjën që politikanët do të ishin adekuat për t’iu dhënë këto informata për procesin e negocimit. Mosbesimi edhe këtu është shumë i lartë, përkatësisht 1/3 tek ata perceptojnë se askush nuk ka kredibilitet të na flet për ato çështje”, deklaroi Violeta Gligoroska, “Eurothink”.

Të pyetur nëse besojnë se ekziston një shtet apo një organizatë ndërkombëtare që përbën kërcënim për vendin, 48% janë përgjigjur me “po”, kundrejt 46% me “jo”. Përqindja më e madhe e të anketuarve që shohin kërcënim, besojnë se në këtë moment është Bullgaria – 79%, e ndjekur nga Rusia me 6,3%, Shqipëria me 2,7% dhe Serbia me 2,4%. Në pyetjen se cili shtet apo organizatë ndërkombëtare është miku më i madh i vendit, shumica, 39,6%, janë shprehur Serbia, e ndjekur nga SHBA me 13,7%, Turqia me 10% dhe BE me 8,4% të të anketuarve. Anketa “Eurometar 2023” u zbatua nga agjencia BRIMA gjatë muajit shtator, në një kampion përfaqësues prej 1003 të anketuar, të gjithë të moshës së rritur. /Alsat.mk

Show More

Related Articles

Back to top button