BotaLajmeRajon

Osmani në Iowa: Autorët e sulmit terrorist në Banjskë duhet të vihen para përgjegjësisë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës së saj në Iowa të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është takuar me guvernatoren e Iowas, Kim Reynolds.

Sipas një njoftimi për media të Presidencës në këtë takim Osmani ndër të tjera, e ka njoftuar Reynolds lidhur me zhvillimet e fundit në Kosovë, siç thuhet, pas aktit të agresionit që Serbia kreu në Republikën e Kosovës më 24 shtator.

“Sipas Presidentes Osmani, Kosova do të vazhdojë bashkëpunimin me aleatë, ndërkohë që autorët e sulmit terrorist dhe aktit të agresionit ndaj Republikës së Kosovës të kryer më 24 shtator duhet të vihen para përgjegjësisë”, thuhet në njoftim.

Gjatë takimit, Osmani citohet të këtë thënë se Kosova nuk ka aleate e mike më të mirë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sipas presidentes Osmani, nënshkrimi kohë më parë i Programit të Partneritetit Shtetëror të Ioëa-s, përbën një element thelbësor të marrëdhënieve strategjike me Shtetet e Bashkuara.

“Ky program luan një rol jetik në zhvillimin tonë të vazhdueshëm ushtarak dhe përpjekjet për ngritjen e kapaciteteve, në përputhje me objektivat dhe aspiratat tona të sigurisë kombëtare për anëtarësim në NATO”, citohet të ketë thënë Osmani.

Më tej, Osmani thuhet se ka shtruar nevojën e ndihmës substanciale ekonomike dhe programet e zhvillimit të iniciuara nga Shtetet e Bashkuara për ta mbështetur rritjen dhe stabilitetin ekonomik të Kosovës.

“Në takim me guvernatoren Reynolds u diskutua për shkëmbime të mëtejshme studentore, bursa dhe bashkëpunime akademike ndërmjet universiteteve të Kosovës dhe Iowas, duke përfshirë shkëmbimin në fakultete, projekteve të përbashkëta kërkimore dhe iniciativave për ngritjen e kapaciteteve në arsim. U diskutua për mundësinë e shkëmbimit të njohurive, transferimin e teknologjisë bujqësore dhe bashkëpunimin në praktikat e qëndrueshme bujqësore, ku në kuadër të këtij bashkëpunimi do të përmirësohen edhe më tej lidhjet ekonomike me shtetin e Iowas. Me qëllim që të përforcohet ky bashkëpunim, pjesë e delegacionit të Presidentes është edhe ministri i Bujqësisë Faton Peci”, thuhet në njoftim.

Këtë vizitë Osmani thuhet se e ka zhvilluar me ftesë të guvernatores së Iowas.

Show More

Related Articles

Back to top button