Izraeli kundërshtoi thirrjet e komunitetit ndërkombëtar për një armëpushim dhe u zotua përsëri të shkatërrojë Hamasin.
Kombet e Bashkuara, palestinezët dhe një numër vendesh e bënë këtë kërkesë në një takim të nivelit të lartë të OKB-së, por ministri i Jashtëm i Izraelit tha se ishte “e drejtë e vendit të tij të shkatërrojë Hamasin”, transmeton Telegrafi.
Ministri i Jashtëm izraelit Eli Cohen gjithashtu hodhi poshtë thirrjet për “proporcionalitet” në përgjigjen e vendit ndaj sulmeve të papritura të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor.
“Më thoni cila është përgjigja proporcionale ndaj vrasjes së foshnjave, përdhunimit të grave dhe djegies së tyre, prerjes së kokës së një fëmije? Si mund të biesh dakord për një armëpushim me dikë që është betuar të vrasë dhe shkatërrojë ekzistencën tënde”, pyeti ai.
Ai i tha Këshillit të Sigurimit të OKB-së se përgjigja proporcionale ndaj masakrës ishte “shkatërrim total deri në anëtarin e fundit të Hamasit”, duke e quajtur grupin ekstremist “nazistët e rinj”.
“Nuk është vetëm e drejta e Izraelit të shkatërrojë Hamasin. Është detyra jonë”, shtoi ai.
Sulmi i Hamasit vrau 1,400 njerëz dhe veprimet e mëvonshme izraelite vranë më shumë se 5,700 palestinezë në Rripin e Gazës.