BotaLajme

Ukraina synon t’i grumbullojë “një milion veta” për rikthimin e jugut

Ukraina planifikon “një ushtri prej një milion vetash”, të pajisur me armë të NATO-s, për të luftuar në rikthimin e kontrollit në pjesën jugore të vendit, e cila është pushtuar nga ushtria ruse, tha ministri ukrainas i Mbrojtjes, Oleksii Reznikov.

Rikthimi i zonave përreth bregut të Detit të Zi është jetik për ekonominë e vendit, tha ai për gazetën britanike The Times.

Komentet vijnë në kohën kur Rusia, e cila ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, po bën përparime në rajonin lindor të Donbasit.

Një sulm në një bllok banesash të dielën, pranë qytetit Kramatorsk, vrau së paku 18 persona.

Ekipet e shpëtimit janë ende në kërkim të të mbijetuarve, që mund të jenë bllokuar nën rrënoja.

Reznikov tha se dërgesat e armëve nga Perëndimi duhet të përshpejtohen.

“Ne kemi nevojë për më shumë dhe më shpejt për t’u shpëtuar jetën ushtarëve tanë”, tha ai.

“Ne kemi afërsisht 700,000 veta në forcat e armatosura dhe kur shtoni gardën kombëtare, policinë, rojën kufitare, bëhemi rreth një milion”, tha Reznikovi.

Megjithatë, ekspertët ushtarakë thanë se shifra duhet të merret me kujdes.

“Nuk do të jetë një forcë prej një milion vetash që do të kryejë kundërsulme”, tha për BBC-në Jack Watling, studiues i lartë në Institutin Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara, në Londër.

Edhe Rusia, edhe Ukraina besohet se kanë humbur mijëra ushtarë në luftime, por shifrat nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur.

Që nga nisja e luftës, Perëndimi është duke ndihmuar Ukrainën me armatim, ndërsa Rusinë e ka ndëshkuar me sanksione të ashpra ekonomike dhe diplomatike.

 

Show More

Related Articles

Back to top button