Prokuroria nuk tregon se çfarë u bë me rastin për zjarrin në spitalin modular të Tetovës të cilin po e heton Prokuroria për Ndjekje të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, ndërkaq familjarët presin që fajtorët e vërtetë të sillen para drejtësisë për 14 jetët e humbura në flakë, shkruan Portalb.mk.
Prokuroria më 14 gusht pas publikimit të dokumentarit të IRL-së “Vrasje në Tetovë” dërgonte pa ndalë komunikata ku mes tjerash njoftoi se Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit është duke zhvilluar rast tjetër për zjarrin në spitalin modular, por për të cilin aso kohe nuk dhanë detaje.
Pas dy muaj e ca më vonë, ende nuk ka informata për publikun dhe çfarë do të ndodh më tej, nëse dhe kush do të thirret në përgjegjësi.
Portalb.mk disa herë ka kontaktuar Prokurorinë këto ditë se çfarë po ndodh me këtë rast, kur do të ketë diçka konkrete, por Prokuroria nuk na përgjigjet në pyetjet gazetareske.
Familjarët e viktimave nga ana tjetër e kanë humbur besimin në drejtësinë e shtetit, por shpresat ju kanë ngelur.
“Dihet ajo se ne si familjarë nuk jemi të kënaqur me gjykimin e deritanishëm. Shpresoj me këtë hetim të ri të dalin fajtorët e vërtetë para drejtësisë, të marrin dënimin e merituar dhe të mbyllet çështja me sukses”, tha Mumin Ismaili i cili humbi nënën.
“Besimin e kam humbur dhe kam një përqind shpresë se fajtorët do të sillen para drejtësisë sepse nuk duhet, nuk duhet të bëjë asgjë Prokuroria e Krimit sepse krejt dihen, u desh që IRL të shpalos krimin. Por, unë dhe familjarët tjerë që jemi një grup do të trokasim në çdo derë dhe çdo mund do japim tani e tutje në BE”, tha Ibin Emshiu i cili humbi babanë dhe vëllain.
Familjarët edhe paraprakisht janë shprehur se drejtësi në këtë vend nuk ka dhe se nëse ky rast përfundon këtu, do të shkojnë edhe në Gjykatën e Strazburgut apo e njohur ndryshe si Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Dokumentari “Vrasje në Tetovë” nga Laboratori i Gazetarisë Hulumtuese (IRL) riaktualizoi tragjedinë e zjarrit në spitalin modular në Tetovë ku jetën e humbën 14 persona. Ky dokumentar zbuloi se veprimet e prokurorëve hapin dyshime se hetimi është sabotuar qëllimisht për të mbrojtur fajtorët nga ndjekja penale. Dokumentari hetues zbulon korrupsion, keqpërdorim tenderi, ndërtim të modularit pa standarde dhe materiale jo të duhura si dhe jo në përputhje me rregulloret ligjore, instalim jo i duhur i energjisë elektrike në modular nga ana e kompanisë “Brako“, për të cilat ishte i njoftuar edhe ish ministri i Shëndetësisë – Venko Filipçe. Aty zbulohen hetime jo të plota dhe zvarritje e rastit nga ana e Prokurorisë në krye me prokurorin Lubomir Joveskin duke mos thirrur në përgjegjësi askënd për shkaqet e zjarrit, por për vepra të tjera penale.
Në lidhje me mos sjelljen e drejtësisë për zjarrin e modularit familjarët dhe qytetarët kanë organizuar disa protesta.
Në protesta u kërkua të hapet procesi gjyqësor për shkaqet e zjarrit, rishqyrtim dhe shqyrtim të vendimeve nga hetimi paraprak në Gjykatën e Tetovës si dhe shkarkimin e kryeprokurorit Ljubomir Joveski së bashku me kryeprokurorin e Tetovës Besir Aliu dhe prokurorët Zorica Pavloviq, Dean Petreski, Hanefi Amet dhe të tjerët të përfshirë në këtë vepër.
Protestuesit kanë kërkuar të gjykohen dhe dënohen fajtorët e vërtetë, përfshirë edhe politikanët që në kundërshtim me ligjin që tenderin për ndërtim ia kanë dhënë kompanisë “Brako”, si ish ministri i Shëndetësisë – Venko Filipçe.
Zjarri i tmerrshëm që e bëri hi spitalin modular në Tetovë 8 shtatorin e vitit 2021, mori me vete 14 jetë të pacientëve të trajtuar nga Covid-19, por edhe të anëtarëve të familjeve që ndodheshin brenda. 14 persona u shpëtuan përpara se objekti të digjej plotësisht. Ndonëse pati proces gjyqësor për këtë rast, të akuzuarit nuk u thirrën për shkaqet e zjarrit por për vepra tjera penale.
Me 1 vit e 6 muaj burg me kusht u dënuan ish drejtori mjekësor i Spitalit të Tetovës – Florin Besimi dhe ish drejtori ekonomik – Artan Etemi, kjo domethënë se ata nuk do të burgosen nëse për 3 vjet nuk kryejnë vepër të re penale. Mjeku përgjegjës për qendrën e Kovidit – Boban Vuçevski u lirua nga akuza. Ndërkaq, Spitali i Tetovës mori dënim prej 1 milion denarësh.
Për mosthirrjen në përgjegjësi për shkaqet e zjarrit, Portalb.mk ka raportuar vazhdimisht.