Ushtria e SHBA-së u vu në alarm pas manovrave të rrezikshme të një avionic luftarak kinez mbi Detin e Kinës Jugore. Në këtë incident, avioni kinez thuhet se ka arritur t`i afrohet tre metra një bombarduesi amerikan B-52. Sipas raportit, piloti i avionit kinez J-11 erdhi në një mënyrë “kërcënuesue e joprofesionale” pranë avionit luftarak amerikan që operonte ligjërisht në zonë. J-11 ka fluturuar poshtë dhe përpara bombarduesit në një incident të ndodhur gjatë natës, kur dhe shikueshmëria është më e dobët.
Sipas SHBA sjellja e pilotit kinez ka shkelur standardet ndërkombëtare të sigurisë ajrore. Episodi u regjistrua në kohën kur ministri i Jashtëm kinez Ëang Yi zhvillonte një vizitë në Uashington ku u takua me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Antony Blinken si dhe me shefin e Shtëpisë së Bardhë, Joe Biden, zhvillim ky që besohet se i paraprin një takimi të mundshëm me Presidentin kinez Xi Jinping, muajin e ardhshëm.
Takimi pason një sërë bisedimesh të nivelit të lartë mes dy vendeve, në përpjekje për gjetjen e mundësive për normalizimin e marrëdhënieve të tensionuara të tyre, e mes agresionit rus në Ukrainë e tensionesh në Lindjen e Mesme. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze fajësoi SHBA për situatën e paqëndrueshme në Detin e Kinës Jugore. Fakti që një avion ushtarak amerikan mori rrugën e gjatë drejt portave të Kinës për të treguar forcën e tij ishte shkaku i rrezikut të sigurisë në det dhe në ajër, tha Mao Ning.
Kina do të vazhdojë të mbrojë integritetin e saj territorial, shtoi ai. SHBA dhe Kina kanë akuzuar vazhdimisht njëra-tjetrën për sjelljen e rrezikshme të forcave të tyre në det dhe në ajër në Indo-Paqësor. Sipas të dhënave të SHBA-së, më shumë se 180 incidente kanë ndodhur që nga vjeshta e vitit 2021.