Policia e Kosovës ka njoftuar se ka ndërruar jetë personi i cili ishte plagosur para dy ditësh në Vushtrri.
Viktima ishte duke u trajtuar në Mjekimin Intensiv në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
“Vushtrri 29.10.2023-15:50. Raportohet se me datën 30.10.2023 në QKUK-Prishtinë, ka ndërruar jetë edhe viktima e dytë mashkull kosovar. Me vendim të prokurorit , trupi i pa jetë i viktimës dërgohet në IML për Obduksion”, theksohet në njoftim.
Ngjarja e rëndë tragjike kishte ndodhur më 29 tetor, ku u vra një 27-vjeçar, dhe mbetën të plagosur edhe dy tjerë.
“Rreth orës 15:50 është raportuar se në kryqëzimin e rrugëve “Mehmet Konjuhi” dhe “Rifat Galica” nga arma e zjarrit ka humbur jetën një person, ndërsa dy persona tjerë kanë mbetur të plagosur. Po ashtu, lidhur me rastin janë arrestuar dy persona të dyshuar, si dhe është konfiskuar një armë zjarri”, kishte njoftuar policia.
Shkaqet e kësaj vrasje ende nuk dihen, ndërsa rasti vazhdon të hetohet.