Fillon vaksinimi në terren për të gjithë fëmijët parashkollor dhe shkollor të pa vaksinuar dhe persona të tjerë që dëshirojnë të imunizohen si kundër gripit sezonal poashtu edhe kundër Covid-19. Fushata do të zgjasë deri në fund të nëntorit, ndërsa ekipet mjekësore qytetarët dhe fëmijët do të shkojnë deri në shtëpi për t’i vaksinuar. Nga Shtëpia e Shëndetit në Gostivar – reparti i imunizimit informojnë se të gjitha përgatitjet për vaksinimin në terren janë bërë me kohë. Koordinatorja e vaksinimit në Gostivar, mjekja Dafina Bogdanovska apelon qytetarët ta shfrytëzojnë këtë mundësi që u jepet për imunizim. Imunizimi te fëmijët me vaksinat e rekomanduara, sipas mjekes Bogdanovska, mbron nga sëmundja e difterias, tetanusit, pertusis, kolla e mirë, fruthi, etj.
“Fillohet me një muja pas lindjes kur pranohet vaksina kundër verdhëzës apo Hepatit B dhe vaksina kundër tuberkulozit. Pastaj, e kemi vaksinën gjashtëvalente e cila përfshinë hepatinin, difetrian, tetanusin, pertusis apo kolla e mirë dhe vaksina pneumokok. Kemi biseduar me çerdhet atje është shumë e përhapur streptokokus dhe pikërisht vaksina pneumokoke është për mbrojtjen e atyre fëmijëve. Pastaj vijnë vaksinat shkollore, pra klasa e parë, e dytë, e pestë, pastaj HPV vaksina për vajzat që është shumë e rëndësishme e cila mbron nga human papilloma virus e cila nëse zhvillohet si virus mund të shkaktojë kancer në qafën e mitrës. Vaksinën HPV preferohet që vazjat ta marrin nga mosha 12 deri 18 vjeçe. Pastaj kemi rivaksinim kundër difterias, tetanusit, në klasën e nëntë dhe në fund vaksinën kundër tetanusit në vitin e katërt në shkollë të mesme”, deklaron Dafina Bogdanovska, mjeke.
Vaksinimi është falas për të gjithë personat e moshës 0-18 vjeç, pa marrë parasysh nga sigurimet shëndetësore. Ndërkohë, mjekja Bogdanovska sqaron se gjatë vizitave shtëpiake, popullata edhe do të informohet dhe do të mund të flasë me mantel-bardhët mbi vaksinat dhe rolin e tyre që kanë mbi mbrojtjen e shëndetit.
“Shkohet nga dera në derë, prandaj nuk duhet të befasohen nëse shohin ekipin tonë në përbërje të mjekut dhe motrës për vizitë. Flasin për vaksinat dhe të gjitha pyetjet që i kanë mund t’i parashtrojnë që të mirë-informohen. Do të shpërndajmë edhe broshura që edhe ata vetë të lexojnë në shtëpi dhe flasin”, deklaron Dafina Bogdanovska, mjeke.
Kjo është fushata e dytë brenda këtij viti që Shtëpia e Shëndetit në Gostivar – reparti i imunizimit e zhvillon për vaksinim të popullatës në terren. Në atë të parën e cila u zhvillua gjatë periudhës mars-prill janë vaksinuar mbi 1.000 persona në shtëpitë e tyre, duke e bërë Gostivarin qytetin me numrin më të lartë në vend të personave të imunizuar.