LajmeRajon

Trepça: Disa nga minatorët kanë ndërprerë grevën dhe i janë kthyer punës

Ndërmarrja “Trepça” ka thënë se minatorët në Artanë dhe Kishnicë kanë ndërprerë grevën e nisur qe disa ditë.

Përmes llogarisë së “Trepça sh.a” në rrjetin social Facebook është njoftuar se ata i janë kthyer punës.

“Minatorët e Artanë dhe punëtorët e flotacionit në Njësinë Biznesore Minierat me Flotacion Kishnicë dhe Artanë e ndërpresin grevën dhe i rikthehen punës. Vendim i mençur dhe shumë i drejtë nga minatorët dhe punëtor e Kishnicës dhe Artanës”, thuhet në njoftim të “Trepçës”.

Sot është dita e nëntë prej kur minatorët e minierës me flotacion kanë hyrë në grevë. Ata po kërkojnë realizimin e pagës mujore me kohë teksa kërkojnë edhe sigurimin e kushteve të punës. Për këto kërkesa ata po kërkojnë garanci me shkrim.

Gjatë ditës së djeshme, Menaxhmenti i Minierës së Trepçëska marrë vendim që t’ua ndalojë mëditjet e rregullta dhe pagesën për shujtë të gjithë minatorëve që janë në grevë, pasi më herët pezulloi kryetarin e Sindikatës së Punëtorëve të Trepçës dhe katër anëtarë të saj. Pagesat e ndaluara do të llogariten nga data e fillimit të grevës, më 24 tetor.

Në arsyetim të vendimit, menaxhmenti i Trepçës thotë se punonjësit e kanë bojkotuar punën pa paralajmërim.

Një ditë më parë menaxhmeti i Trepçës ka suspenduar nga puna Kryetarin e Sindikatës së minatorëve, Ibrahim Jonuzi, nënkryetarin Destan Kerleshi, dy anëtarët e kryesisë, Gani Osmani dhe Fevzi Ademi dhe një minator – Esat Meha, me arsyetimin se e kanë shkelur ligjin dhe e kanë rrezikuar rendin kushtetues.

Show More

Related Articles

Back to top button