LajmeSport

Struga Trim Lum e mund Vardarin, ngushton diferencën me Shkupin dhe Shkëndijën

Kampionët në fuqi të Superligës së Maqedonisë së Veriut, Struga Trim Lum kanë mundur Vardarin me rezultat të thellë 4-0 në ndeshjen e mbetur të xhiros së pestë të kampionatit.

Takimi i luajtur në qytetin e Strugës, u mbyll me barazim pa gola në pjesën e parë, përderisa në të dytën, futbollistët e Shpëtim Duros treguan forcën, duke shënuar katër gola në rrjetën e kundërshtarëve.

I pari që e hapi serinë e golave, ishte Besart Ibraimi. Në minutën e 56-të, “bomberi” kërçovar mori një asistim nga Bunjamin Shabani dhe realizoi në mënyrë perfekte për shifra 1-0. Minuta e 76-të solli golin e dytë për Strugën me autor, Mentor Mazrekajn për 2-0.

Në të 84-tën, Flamur Tairi çoi shifrat në 3-0, përderisa rezultatin final 4-0 e vulosi Jarovic në minutat shtesë të takimit.

Me këtë fitore Struga shkon në kuotën e 24 pikëve, duke ngushtuar kështu diferencën në një pikë me dy skuadrat tjera shqiptare, Shkupin dhe Shkëndijën që kryesojnë renditjen, përderisa Vardari vazhdon të mbetet në pozitën e fundit me 11 pikë të grumbulluara deri më tani.

Kujtojmë se kjo ndeshje ishte e programuar të luhej me 27 gusht, por e njëjta u shty për ditën e sotme për shkak të angazhimeve të Strugës në arenën evropiane.

Tashmë në fundjavë në kuadër të xhiros së 13-të të Superligës së Maqedonisë, Struga do të takohet me Shkëndijën, përderisa Vardari do të përballet me Shkupin në Çair. 

Show More

Related Articles

Back to top button