BotaLajme

Familjet e viktimave në Izrael padisin Hamasin për krime lufte

Familjet e nëntë viktimave izraelite të sulmeve të muajit të kaluar nga Hamasi, paraqitën një ankesë në Gjykatën Penale Ndërkombëtare (ICC) me dyshimin se organizata militante palestineze ka kryer krime lufte, tha avokati i tyre.

Familjet duan gjithashtu që Hamasi të ndiqet penalisht për gjenocid dhe një gjykatë të lëshojë një urdhër arresti ndërkombëtar për liderët e tij, tha avokati Francois Zimmeray, në një deklaratë më 3 nëntor.

Më 7 tetor, Hamasi kreu sulme në të cilat, sipas zyrtarëve izraelitë, u vranë më shumë se 1400 njerëz dhe më shumë se 200 u rrëmbyen.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian e kanë cilësuar Hamasin organizatë terroriste.
Ministria e Shëndetësisë e Gazës, e cila drejtohet nga Hamasi, thotë se më shumë se 9.000 njerëz janë vrarë në Rripin e Gazës që nga 7 tetori.

“Ankesa u referohet viktimave, të gjitha civilë”, tha Zimmeraj, duke shtuar se disa prej tyre ishin në festivalin muzikor “Pleme Nova” (Fisi i Novës).

“Ankesa thotë se terroristët e Hamasit nuk i mohojnë krimet që kanë kryer, të cilat i kanë dokumentuar dhe transmetuar gjerësisht, dhe se… faktet nuk mund të kundërshtohen”, tha ai, siç raporton agjencia France Presse.

Çdo individ ose grup mund të paraqesë një kërkesë në gjykatë e cila ka selinë e saj në Hagë.

Gjykata, e krijuar në vitin 2002, heton dhe ndjek penalisht krimet e rënda në mbarë botën.

Show More

Related Articles

Back to top button