LajmeRajon

Kurti jep detaje se si i kanë mbështetur bizneset

Kryeministri Albin Kurti ka shkruar se që nga fillimi i mandatit të tyre, janë angazhuar për përmirësimin e ambientit të të bërit biznes, mbështetje për biznese, mbrojtje të konkurrencës, inspektim të tregut dhe vizion të qartë për industri.

Kurti ka shkruar në Facebook se 322 bizneseve i dhanë përkrahje financiare përmes granteve në vlerë 11.8 milionë euro dhe subvencionuam kreditë për 395 biznese tjera në vlerë 12.4 milionë euro.

“Krahas tyre, me 2.8 milionë euro, mbështetëm dhe 226 ndërmarrje vendore në promovimin e produkteve, mallrave dhe shërbimeve në 33 panaire ndërkombëtare. Për më shumë hapësirë për kreativitet dhe inovacion për të rinjtë dhe kompanitë e reja, mbështetëm me 8 milionë euro Parkun e Inovacionit dhe Trajnimit (ITP) në Prizren. Kurse për më shumë hapësirë për bizneset, ndërtuam infrastrukturë fizike me investim kapital në vlerë 2.5 milionë euro në parqet industriale në Vushtrri, Suharekë, Viti, Lipjan dhe Rahovec. Krahas mbështetjes së drejtpërdrejt, përmirësuam dhe avancuam kornizën ligjore të të bërit biznes duke miratuar 16 ligje dhe 35 akte nënligjore të hartuara nga MINT në kuadër të MSA-së me Bashkimin Evropian. E me Bashkimin Evropian, nënshkruam marrëveshje për përfshirjen e Kosovës në programin më të madh të BE-së, “Tregu i përbashkët”. Ky program, i cili kap vlerën prej 4.2 miliardë euro, përfshin periudhën 2021-2027 dhe i dedikohet mbështetjes ndaj bizneseve dhe organizatave me qëllim fuqizimin e mbikëqyrjes së tregut të brendshëm, rritjes së konkurrueshmërisë, mbrojtjen e konsumatorit dhe përmirësimin e sektorit financiar. Ndërkohë, kemi filluar negociatat për Marrëveshje të Tregtisë së Lirë me shtetet e EFTA-s, Zvicrën, Lihtenshtajnin, Norvegjinë dhe Islandën, për të thelluar marrëdhëniet tregtare me to. Për herë të parë miratuam një Politikë Industriale. Strategjia për Zhvillim Industrial dhe Mbështetje të Bizneseve 2030 parasheh një industri të transformuar dhe të integruar globalisht e cila është në gjendje të prodhojë produkte me vlerë të lartë të shtuar dhe të ofrojë punësim”, ka shkruar ai, duke shtuar se në mbrojtje të pronësisë industriale, përtej ligjeve, zgjodhën 500 lëndë të kundërshtimeve të markave tregtare që ishin në pritje nga viti 2013, e të cilat sillnin konflikte në mes të kompanive dhe humbje të tregut të tyre, si dhe regjistruan 30 patenta, 4915 marka tregtare dhe 80 dizajne të reja industriale.

“U shënua rekord i inspektimeve brenda vitit 2022 nga Inspektorati i Tregut, gjithsej 2830. Me trendin aktual të inspektimeve të këtij viti, deri në fund të vitit 2023 parashihet që të arrihet rekord i ri i numrit të inspektimeve vjetore. Inspektimet kanë rritur mbikëqyrjen. Mbikëqyrja, krah për krah me zvogëlimin e barrës administrative dhe thjeshtimin e procedurave për pajisje me leje dhe licensa, ka rezultuar me formalizim të tregut. Gjatë kësaj kohe janë licensuar 500 operatorë ekonomikë për shitjen e derivateve të naftës, të cilët deri më tani ishin të pa licensuar. E për situata të jashtëzakonshme, kriza e emergjenca, atëherë kur tregu çrregullohet nga faktorë të jashtëm, pasuruam rezervat tona shtetërore për 30-fish. Për më shumë siguri për qytetarët tanë, për më shumë siguri kombëtare”, ka shkruar ai.

Show More

Related Articles

Back to top button