Trupat izraelite e kanë ndarë Rripin e Gazës në dy pjesë dhe i kanë vazhduar bombardimet e pareshtura të dielën mbrëma, tha zëdhënësi i Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF), Daniel Hagari.
Hagari tha se trupat izraelite arritën në vijën bregdetare duke e ndarë enklavën në “Gazën veriore dhe në Gazën jugore”. Qyteti i Gazës, më i madhi në këtë territor, është tani plotësisht i rrethuar, shtoi ai.
“Ne do të vazhdojmë ta lejojmë një korridor në mënyrë që banorët e Gazës veriore dhe Qytetit të Gazës të zhvendosen drejt jugut. Ky është korridor njëdrejtimësh drejt jugut”, theksoi ai.
Ndërkohë, ka raportime se shërbimet telefonike dhe të internetit janë ndërprerë përsëri në Gazë. Kryqi i Kuq Palestinez tha se “kjo është hera e tretë” që ndërpriten këto shërbime në Gazë prej fillimit të luftës dhe se e ka humbur kontaktin me ekipet e veta si pasojë.
Administrata e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, i ka rritur përpjekjet diplomatike në Lindjen e Mesme për sigurimin e një pauze humanitare në luftën mes Izraelit dhe Hamasit. Drejtori i CIA-s, William Burns, ish-ambasador amerikan në Jordani, ndodhet në Izrael për të biseduar me zyrtarët vendas. Ai ka bërë thirrje për shkëmbime më të mëdha në fushën e inteligjencës dhe përpjekje më të mëdha për shmangien e viktimave civile.
Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, do të ketë bisedime në Turqi, ndalesa e tij më e fundit gjatë turneut rajonal. Shtëpia e Bardhë ka thënë se zëvendëspresidentja Kamala Harris do të bisedojë për konfliktin me liderë të huaj të hënën.
Lufta mes Izraelit dhe grupit militant palestinez, Hamas, nisi më 7 tetor, pasi Hamasi kreu sulmeve në qytete të Izraelit jugor, duke i vrarë 1.400 njerëz, kryesisht civilë, dhe i rrëmbeu mbi 240 njerëz të tjerë. Prej atëherë, Izraeli është duke e sulmuar Rripin e Gazës nga ajro, deti dhe toka, në përpjekje për ta rrënuar Hamasin. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës, e cila udhëhiqet nga Hamasi, mbi 10.000 palestinezë janë vrarë nga bombardimet izraelite. /REL