LajmeRajon

Kosova përdorues më madh i internetit nga vendet e rajonit

Plot ulëse përreth fakulteteve në kampusin e Universitetit të Prishtinës janë të zëna nga studentë që rrinë në telefonat e tyre, e herë pas here ngrenë kokën për të folur me njëri-tjetrin.

Para Fakultetit të Filozofisë e ulur qëndron edhe Viola Fazliu, e cila pret që pas pak të takohet me studenten e historisë, Aulona Fazliun – siç ishin marrë vesh përmes telefonit.

Ato tregojnë se janë përdoruese të rregulla të internetit.

“Më së shumti e përdorim për rrjete sociale – Instagram, Tiktok, etj. Për komunikimin me shoqëri, por edhe për informim”, thotë Aulona për Radion Evropa e Lirë.

Përdorues të rregullt, si Aulona dhe Viola, janë shumica e banorëve të Kosovës. Ndër vite, përqindja e atyre që kanë qasje në internet, është rritur në mënyrë konstante.

Tani, pothuajse 99 për qind e kosovarëve kanë qasje në internet, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) të nxjerra në fund të tetorit.

Pothuajse çdo familje në Kosovë ka qasje në internet

Prej vitit 2017 e deri këtë vit, përqindja e familjeve që kanë qasje në internet në Kosovë është rritur vazhdimisht. Tani, vetëm 1.4 për qind e familjeve janë pa qasje në internet.

Të dhënat e Zyrës së Bashkimit Evropian për Statistika (Eurostat) tregojnë se qasja në internet në Kosovë është më e lartë sesa në shumë vende të tjera të Evropës.

Madje, përqindja e familjeve në Kosovë që kanë qasje në internet, është më e lartë sesa mesatarja në Bashkimin Evropian.

Qasja në internet, më e madhe në Kosovë sesa në BE

Përqindja e familjeve në Kosovë, 98.6, që kanë qasje në internet, është më e madhe se mesatarja në Bashkimin Evropian, që është 92.4.

Pjesa më e madhe e përdoruesve të internetit në Kosovë janë online disa herë gjatë ditës dhe u përkasin grup-moshave prej 16 deri në 34 vjeç.

Numri i banorëve në Kosovë që e përdorin internetin disa herë në ditë u rrit edhe më shumë më 2023, në krahasim me vitin e kaluar.

Ndërsa, numri i atyre që e përdorin internetin më pak se një herë në javë u zvogëlua në vetëm 0.1 për qind të banorëve.

Të rinjtë, përdoruesit më të mëdhenj të internetit në Kosovë

Gjatë vitit të fundit, përdoruesit kryesorë të internetit ishin personat nga 16 deri në 34 vjeç. Ndërsa, ndër vite, ata mbi 65 vjeç kanë përdorur internetin më së paku në vend.

Edhe pse banorët e Kosovës janë përdorues të mëdhenj të internetit, shërbimet që ata i kryejnë online, janë të limituara.

Aldo Baxhaku, zyrtar për komunikim publik në Shoqatën e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit të Kosovës (STIKK), thotë se janë disa faktorë që ndikojnë në nivelin e shkathtësive digjitale të një personi.

“Shumica e qytetarëve në Kosovë i shfrytëzojnë telefonat për qasje në internet dhe shërbimet që janë më të sofistikuara kryhen përmes laptopëve apo kompjuterëve. Ndërsa, informimi dhe argëtimi bëhet përmes telefonave mobilë”, thotë Baxhaku.

Të dhënat e ASK-së tregojnë se gati 95 për qind e përdoruesve të internetit në Kosovë qasen në të përmes kompjuterëve.

Baxhaku shton se të rinjtë e shkolluar dhe që kanë mundësi të ndjekin kurse shtesë, kanë shkathtësi më të mëdha digjitale, pasi që, sipas tij, standardet për ta quajtur një person të shkathtë në aspektin digjital, tani janë ngritur.

“Ka ndryshuar koncepti i shkathtësive digjitale. Më herët, shkathtësi digjitale konsiderohej ta hapje kompjuterin, ta hapje një llogari. Tani, shkathtësi digjitale quhet kur di të kodosh, të përpunosh të dhëna, etj.”, thotë ai.

Të dhënat tregojnë se në shumicën e rasteve, kosovarët i përdorin rrjetet e tyre sociale – si Facebook, Instagram e X – për të komunikuar me të afërmit e tyre dhe për informim.

Pse i përdorin kosovarët rrjetet sociale?

Pas lidhjes me familjarët dhe shoqërinë e tyre, leximi i lajmeve të fundit është arsyeja kryesore pse kosovarët përdorin rrjetet sociale.

Edhe pse Kosova gjatë viteve të fundit ka digjitalizuar disa shërbime institucionale – si tërheqjen e dokumenteve të gjendjes civile – përmes platformës E-Kosova, shumica e banorëve të vendit thonë se nuk kanë përdorur shërbime të tilla gjatë vitit të fundit.

Mbi 80 për qind e përdoruesve të internetit, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, as nuk e kanë përdorur internetin për të siguruar materiale mësimore apo për kurse online.

Për çka përdoret interneti në Kosovë?

Edhe pse shumica e banorëve në Kosovë kanë qasje në internet, shumë pak prej tyre e përdorin për qasje në materiale mësimore apo për marrje të shërbimeve qeveritare.

Por, Diellza Smani, dizajnere grafike, e gjen veten në mesin e asaj pakice që përdor internetin për gjëra që ia lehtësojnë jetën – si për punë, apo shërbime institucionale – e jo për argëtim.

“Për komunikim, preferoj të takohem me njerëzit drejtpërdrejt. Madje, shpeshherë e harroj telefonin në shtëpi”, thotë ajo duke qeshur.

Ndërkohë, numri i personave që kanë bërë blerje online është rritur me kalimin e viteve. Më 2018, vetëm rreth 17 për qind e banorëve të Kosovës kishin bërë blerje online brenda tre muajve të fundit para se të bëhej anketa. Në vitin 2022, kjo shifër u rrit në gati 43 për qind.

Sa blejnë online kosovarët?

Të dhënat e këtij viti tregojnë se numri i banorëve të Kosovës që kanë bërë blerje online në tre muajt e fundit, është pothuajse dyfish më i madh se i atyre që s’kanë bërë blerje online asnjëherë.

Show More

Related Articles

Back to top button