Në Navigli u zhvillua një luftë guerile mes ultrasve të Milanit dhe atyre të PSZH. Sipas asaj që raportoi “Corriere della Sera”, një grup prej rreth 50 tifozësh kuqezinj, me helmeta, bomba tymuese dhe fytyra të mbuluara, sulmuan tifozët parizienë që mbushën Navigli-n përpara ndeshjes së kësaj mbrëmje në “San Siro”.
Duket se grupi i ultrasve nga “Curva Sud” iu ka zënë pritë tifozëve francezë jashtë ambienteve të Ripa-s në Porta Ticino, pak pas mesnate. Përleshjes i ka paraprirë shpërthimi i një fishekzjarri dhe më pas ndezja e disa bombave tymuese.
Disa furgona policie dhe karabinierësh mbërritën në vend. Oficerët ndaluan të paktën një tifoz, i cili më pas u dërgua në komisariat. Mes francezëve duket se ka disa të plagosur: një i goditur me thikë dhe i transportuar me kod të kuq në poliklinikën më të afërt. Një oficer policie u plagos rëndë, gjithashtu.