Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, dhe ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku janë nën mbrojtjen e Policisë së Kosovës.
Këtë e kanë konfirmuar selitë e subjekteve politike përkatëse, pa dhënë shumë detaje për arsyet e mundshme për këto vendime.
“Po, me rekomandim të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Kosovës, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, i është ofruar një ekip i njësisë së mbrojtjes së afërt të Policisë”, ka deklaruar Valmir Klaiqi, drejtor i Komunikimit në PDK.
Derisa zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi ka konfirmuar se Abdixhiku është marrë nën mbrojtje nga Policia.
”Po, lajmi është i vërtetë! Për të gjitha informacionet e tjera, ju lutem kontaktojeni Policinë e Kosovës”, ka thënë ajo.