Sot do të zhvillohen ndeshjet e mbetura të xhiros së katër në fazën e grupeve në Ligën e Kampionëve. Vëmendja kryesore pritet të jetë në stadiumin “Emirates”, aty ku Arsenali pret Seviljën. Një fitore e “The Gunners” do t’i shihte ata të siguronin kualifikimin në 1/16 e Ligës së Kampionëve, pasi që skuadra angleze është në vendin e parë me gjashtë pikë, kurse Sevilja ka vetëm dy pikë dhe renditet e treta. Takimi tjetër i këtij grupi që zhvillohet në të njëjtën orë, është në mes PSV Aind’hovenit dhe Lensit.
Ndërkohë Napoli i Amir Rrahmanit do të përballet me Union Berlinin me fillim nga ora 18:45. Skuadra italaine është në vendin e dytë në grup me gjashtë pikë, mbrapa vetëm Real Madridit. Kurse Union Berlin po kalon një periudhë mjaft të vështirë, pasi nuk ka fitore në nëntë ndeshjet e fundit në të gjitha garat.
Skuadra e Realit në Madrid do të ketë përballë skuadrën e Braga-s. Një fitore e “Mbretërve” do t’i shihte ata ta siguronin pjesëmarrjen në raundin tjetër. Në kohë të njëjtë Mançester Junajtedi udhëton drejt Kopenhagës. “Djajtë e Kuq” do të kërkojnë të marrin fitoren që të mos humbin hapin me Bajernin e Galatasarajin që kanë dy vendet e para në këtë grup.
Një fitore e Bajernit ndaj skuadrës turke do t’i shihte kampionët e Gjermanisë të sigurojnë kualifikimin. Ndeshjet e tjera që zhvillohen sot janë: Real Sosiedad – Benfika dhe Salzburg – Inter.