Kompanitë serbe janë duke eksportuar mallra të dypërdorshme në Rusi, të cilat janë cak i sanksioneve të Perëndimit për shkak se përdoren në armatimin rus në Ukrainë –përkundër zotimit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, se vendi i tij nuk do të shërbejë si përçues i anashkalimit të sanksioneve të Shteteve të Bashkuara (SHBA) dhe Bashkimit Evropian (BE).
Mallrat e dypërdorshme mund të përdoren si për qëllime ushtarake, ashtu edhe për qëllime civile.
Në mesin e atyre që kanë pranuar mallra të tilla nga Serbia në Rusi është edhe furnizuesi i Teknologjisë Informative i cili u godit nga sanksionet amerikane në shtator. Kjo u shpjegua nga Uashingtoni si një përpjekje për ta privuar presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, nga “pajisjet, teknologjia dhe shërbimet për të cilat ai ka nevojë për ta kryer luftën e tij barbare në Ukrainë”, ka gjetur një hulumtim i Radios Evropa e Lirë (REL).
Të dhënat doganore nga baza e të dhënave e tregtisë ndërkombëtare, të analizuara nga REL-i, tregojnë se kompanitë serbe kanë dërguar mallra të sanksionuara të dypërdorshme në Rusi në vlerë prej 71.1 dollarësh prej se Putini e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt 2022.
Dërgesat e analizuara nga reporterët përfshijnë llojet e elektronikëve dhe pajisjeve të tjera të kategorizuara si të “prioritetit të lartë” nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, për shkak të përdorimit të tyre në armatimin rus që është gjetur në fushëbetejat ukrainase.
Ushtria ukrainase paraqet elektronikët nga një raketë e përdorur nga ushtria ruse, për të cilat një ekspert ukrainas i municionit tha se nuk shpërthyen në vend, në rajonin e Harkivit, Ukrainë, 21 tetor 2022.
Prej fillimit të pushtimit në shkurt 2022, Uashingtoni dhe Brukseli janë përpjekur ta kufizojnë qasjen e Kremlinit në komponentët perëndimorë të përdorur në pajisjet ushtarake ruse, duke i bërë trysni qeverive ta luftojnë dërgimin e teknologjive të tilla në Rusi përmes vendeve të tyre.
Me gjithë thirrjet nga Brukseli për t’u rreshtuar karshi politikave të BE-së, Serbia ka ruajtur marrëdhënie historikisht të ngushta me Moskën edhe gjatë konfliktit dhe mbetet njëra prej qeverive të pakta evropiane që nuk i kanë vendosur sanksione Rusisë për agresionin e saj në Ukrainë.
Presidenti Vuçiq, megjithatë, i tha komisionarit për Zgjerim të BE-së, Oliver Varhelyi, në dhjetor 2022 se “askush nuk mund t’i anashkalojë sanksionet kundër Rusisë përmes territorit të Serbisë”, duke shtuar se vendi i tij “nuk do të fitojë para nga vuajtjet e të tjerëve gjatë luftës”.
Zyra e Vuçiqit nuk i është përgjigjur kërkesës për koment në lidhje me dërgesat serbe të teknologjisë së sanksionuar në Rusi.
REL-i u dërgoi pyetje Qeverisë së Serbisë dhe Ministrisë për Tregti të Brendshme dhe të Jashtme për atë se si kryhen kontrollet e eksportimit të teknologjive të tilla dhe nëse ka pasur të ndëshkuar për shmangien e mundshme të sanksioneve, por nuk mori përgjigje në kohë për publikimin e këtij shkrimi.
Nga traktorët deri te elektronikët e sanksionuar
Kompania serbe Kominvex u formua në vitin 2005 dhe, deri vitin e kaluar, specializoi në shitje me shumicë të pjesëve dhe pajisjeve për automjetet motorike. Uebsajti i kompanisë ende ofron pjesë të veturave dhe kamionëve, e posaçërisht të traktorëve.
Duke i gjykuar të dhënat zyrtare të kompanisë, përfitimi i Kominvexit ka qenë modest: kompania përfitoi vetëm 67 dollarë në vitin 2018 dhe 1.600 dollarë në vitin 2021.
Megjithatë, pasuria e saj u përmirësua jashtëzakonisht shumë në vitin pasues, kur filloi të eksportojë mallra elektronike në Rusi dhe të hyrat e saj u mijëfishuan në 1.5 milion euro në vitin 2022.