Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Turk, tha se Hamasi dhe Izraeli kanë kryer krime lufte që nga fillimi i konfliktit muajin e kaluar.
“Mizoritë e kryera nga grupet e armatosura palestineze më 7 tetor ishin të tmerrshme, brutale dhe tronditëse, ato ishin krime lufte, siç është edhe mbajtja e vazhdueshme e pengjeve. Ndëshkimi kolektiv i Izraelit i civilëve palestinezë përbën gjithashtu një krim lufte, siç bën edhe evakuimi i paligjshëm me forcë i civilëve”, tha Turk.
Turk u kërkoi gjithashtu të dyja palëve të bien dakord për një armëpushim në bazë të tre imperativave të të drejtave të njeriut: dërgimi i ndihmës në Gaza, lirimi i pengjeve nga Hamasi si dhe përfundimi i luftës bazuar në të drejtat të palestinezëve dhe izraelitëve për vetëvendosjen dhe interesat e tyre legjitime të sigurisë.