LajmeMaqedoni

Banka Popullore, “dush” për Qeverinë – Inflacioni në vend, më i lartë se sa i paraqitur

Maqedonia këtë vit do ta mbyllë me 9,5% inflacionin vjetor parashikon Banka Popullore. Ky raport i autoritetit më të lartë financiar në vend i dha një dush të ftohtë pushtetit qeverisës në vend, shkruan Alsat.

Për muaj të tërë si kryeministri Kovaçevski ashtu edhe nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë thanë se viti 2023 do të mbyllet me inflacionin mesatar vjetor nën 6%, madje ende pa u llogaritur nëntori e dhjetori.

Guvernatorja Anita Angellovska Bezhovska uli pompozitetin e autoriteteve politike në pushtet, duke dhënë një shifër dukshëm më të lartë të inflacionit mesatar vjetor se sa proklamohej nga Qeveria.

Me heqjen e masave të ngrirjes së çmimeve më 31 dhjetor dhe nëse ndërkohë nuk merren masa të tjera, rreziku ekziston që nga 1 janari të ketë çmime të fryra të produkteve ushqimore që do rriste inflacionin.

“…kur i rendita rreziqet për inflacionin, njërin prej tyre janë masat rregulluese. Kjo i adresohet pyetjes që ju e thoni. Ekziston pasiguria, por nuk do mund ta them paraprakisht çfarë do të ndodhë me çmimet, pas shfuqizimit të masave, duke pasur parasysh se në opinion kishte paralajmërime për masa të mëtejme eventuale, të cilat do t’i merrte qeveria në këtë drejtim. Por, kthimi në nivelin paraprak siç ishte para hyrjes në fuqi të masave, sigurisht që nënkupton një presion të caktuar ndaj çmimeve”, tha Anita Angellovska Bezhovska, Guvernatore e RMV-së.

Zëvendëskryeministri për çështje ekonomike Fatmir Bytyqi tha se ata iu kanë referuar normave zyrtare të Entit Shtetëror të Statistikave. Sipas tij, mesatarja nga përllogaritja e tyre nuk është shifër strikte siç thotë Banka Popullore nga që të dy versionet janë parashikime. Bytyqi tha se interpretimet janë të ndryshme.

“Inflacioni nuk luftohet brenda ditës dhe nuk mund ta shohim, kështu që po them se vetëm baza e inflacionit të merret, qoftë nga gazetarët apo edhe nga kryeministri i cili i referohet, siç edhe unë iu kam referuar, flasim për norma inflacioni të ndryshme. Norma e inflacionit në muajin e fundit është 3,5% por ajo nuk është ndryshe nga ajo që unë e them se norma mesatare e inflacionit në viti 2023 do të jetë shumë më e lartë se sa kjo sepse na janari deri në qershor ne kishim norma inflacioni dyshifrore”, theksoi Fatmir Bytyqi, Zëvendëskryeministër për çështje ekonomike. Në raportin e Këshillit të Bankës Popullore thuhet se inflacioni vjetor u ngadalësua në muajin tetor, duke zbritur në 3.5% vetëm për atë muaj, ndërsa nga janari në tetor mesatarja ishte 10.7%. Sipas tyre, inflacioni në 2024 gjithashtu do të ulet ndjeshëm mesatarisht në 4%, dhe 2025 afërsisht do të jetë 2%.

Show More

Related Articles

Back to top button