Ministri izraelit për Komunikime, Shlomo Karhi, ka akuzuar katër gazetarë me bazë në Gazë, që kanë punuar me mediat perëndimore, se kanë pasur informacione për sulmin e Hamasit në Izrael.
Karhi u ka thënë mediave si Reuters, AP, CNN dhe New York Times se “individë brenda organizatave tuaja kanë pasur njohuri paraprake për këto veprime të tmerrshme”. Reuters, AP, CNN dhe New York Times e kanë mohuar një pretendim të tillë. New York Times ka thënë se “akuza të tilla të pabaza” i rrezikojnë bashkëpunëtorët e jashtëm.
Hamasi ka nisur sulme shkatërruese dhe të pashembullta në jug të Izraelit më 7 tetor, duke i vrarë më shumë se 1.400 civilë dhe ushtarë izraelitë, dhe i ka kidnapuar më shumë se 240 persona tjerë. Në imazhet e shkrepura prej fotografëve janë parë: një tank i djegur izraelit, palestinezët duke e thyer barrierën në komunitetin Kfar Aza dhe skena tjera të sulmit.
Karhi ka thënë se sulmet kanë ndodhur në vendin ku kanë qenë prezentë gazetarët “teksa i kanë dokumentuar këto tmerre, dhe kështu janë bërë pjesëmarrës në këto ngjarje të tmerrshme”. Ministri izraelit i ka bërë këto deklarata pas sugjerimeve të faqes pro-Izraelit Honest Reporting, se prezenca e gazetarëve mund të ketë qenë “pjesë e planit”. Mirëpo katër agjencitë e akuzuara kanë lëshuar deklarata duke thënë se nuk kanë pasur marrëveshje paraprake me asnjërin prej gazetarëve për të dërguar fotografi.
“Asnjë pjesëtar i stafit të AP-së nuk ka qenë në kufi në kohën e sulmeve dhe asnjë pjesëtar i stafit të AP-së nuk e ka kaluar kufirin në atë kohë”, është thënë në deklaratën e agjencisë.
“Kur pranojmë fotografi prej bashkëpunëtorëve të jashtëm, ne marrin shumë hapa për ta verifikuar vërtetësinë”.
Agjencia ka thënë se nuk është duke punuar më me njërin prej gazetarëve, Hassan Eslaiah, i cili është parë në një fotografi me liderin e Gazës, pjesëtarin e Hamasit, Yahya Sinwar. Edhe CNN ka thënë se i ka pezulluar të gjitha kontaktet me një tjetër bashkëpunëtor të jashtëm. New York Times e ka mbrojtur punën e disa bashkëpunëtorëve të saj për mbulim të luftës, dhe akuzat i ka cilësuar si të pavërteta.
Edhe Reuters e ka mohuar të ketë pasur dijeni paraprakisht për planet. Komiteti për Mbrojtje të Gazetarëve ka thënë se të paktën 39 gazetarë dhe punëtorë mediash janë vrarë prej nisjes së luftës, përfshirë 34 palestinezë, katër izraelitë dhe një libanez.