Agjentët e FBI-së sekuestruan telefona dhe një iPad nga kryetari i bashkisë së qytetit të Nju Jorkut, Eric Adams këtë javë, në kuadër të një hetimi mbi mbledhjen e fondeve për fushatën e tij, konfirmoi avokati i tij të premten.
Konfiskimet ndodhën pas një ngjarjeje të hënën mbrëma, sipas një deklarate nga avokati i kryebashkiakut, Boyd Johnson.
“Të hënën në mbrëmje, FBI iu afrua kryebashkiakut pas një ngjarjeje. Kryetari i Bashkisë e plotësoi menjëherë kërkesën e FBI-së dhe dorëzoi pajisjet e tij elektronike”, thuhet në deklaratë. “Kryetari i bashkisë nuk është akuzuar për ndonjë shkelje dhe vazhdon të bashkëpunojë me autoritetet për hetimin.”
Sekuestrimi i pajisjeve, i raportuar fillimisht nga gazeta New York Times, erdhi disa ditë pasi agjentët federalë kontrolluan shtëpinë e drejtueses për mbledhjen e fondeve të fushatës së zotit Adams, Brianna Suggs, në Bruklin. Kjo shkaktoi anulimin e një udhëtimi të planifikuar të kryebashkiakut në Uashington për takime me zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë në Uashington për çështjen e strehimit të imigrantëve në Nju Jork.
Adams, një demokrat, nuk tha asgjë në lidhje me sekuestrimin e telefonave të tij gjatë një konference shtypi të mërkurën dhe tha se nuk ishte në dijeni të ndonjë shkeljeje ligjore nga anëtarët e ekipit të tij të fushatës.
Në një deklaratë të premten, avokati Boyd Johnson tha se Adams është zotuar se do të bashkëpunojë me hetimin.
“Pasi u mësua për hetimin federal, u zbulua se një individ kishte vepruar së fundmi në mënyrë të papërshtatshme. Në frymën e transparencës dhe bashkëpunimit, kjo sjellje u raportua tek hetuesit”, tha ai, duke mos dhënë detaje të mëtejshme.
Një zëdhënës i prokurorit të Manhattanit nuk pranoi të komentonte.
“Si një ish-anëtar i forcave të zbatimit të ligjit, pres që të gjithë anëtarët e personelit tim të respektojnë ligjin dhe të bashkëpunojnë plotësisht me çdo lloj hetimi – dhe unë do të vazhdoj të bëj pikërisht këtë. Nuk kam asgjë për të fshehur”, tha kryebashkiaku Adams, një ish-kapiten policie, përmes një deklarate.
Objektivi i hetimit nuk është bërë publik nga prokurorët, por në një urdhër kontrolli, të siguruar nga gazeta New York Times, thuhet se autoritetet po bëjnë një hetim mbi dyshimet për një komplot të fushatës së kryebashkiakut Adams me qeverinë turke për të marrë fonde nga burime të huaja, përmes personave ose entiteve vendase.
Kryebashkiaku Adams të mërkurën tha se ai nuk kishte njohuri personale për ndonjë rast të papërshtatshëm të mbledhjes së fondeve dhe nuk besonte se ai kishte arsye për t’u frikësuar nga hetimi. Ndaj zotit Adams dhe zonjës Suggs nuk janë ngritur akuza për shkelje ligji./voa