Për vite me radhë, Mali i Zi – në veçanti bregdeti i tij – ka tërhequr rusë të interesuar që një pjesë të pasurisë së tyre, ta investonin në patundshmëri.
Mbështetja e Malit të Zi për sanksionet perëndimore kundër Rusisë – për shkak të luftës në Ukrainë – nuk duket se i ka penguar ata që të vazhdojnë të blejnë apartamente, vila e ndërtesa të tjera në këtë vend.
Sipas të dhënave të vitit 2022 nga Administrata e Regjistrimit të Tokave, shtetasit rusë zotërojnë rreth 19.000 prona në Mal të Zi.
Ata përfshijnë edhe oligarkun Oleg Deripaska, i cili është sanksionuar nga Perëndimi.
Në shumicën e rasteve, përcaktimi i pronarëve të vërtetë është proces i ndërlikuar, pasi shumë nga asetet mund të jenë në emër të familjarëve ose kompanive, siç është edhe rasti i Deripaskës.
Sido që të jetë, në qershor të vitit 2022, ministri i atëhershëm i Punëve të Brendshme të Malit të Zi, Fillip Axhiq, është mburrur me, siç ka thënë, goditjen e shtetasve të sanksionuar rusë, që mbanin prona në Mal të Zi.
“Për 44 prona, Administrata e Regjistrimit të Tokave nxori vendime që kufizojnë disponimin e pronës në Mal të Zi. Ai zbatohet për 34 shtetas rusë që janë të sanksionuar”, ka thënë Axhiq në atë kohë.
Ky sukses i supozuar është përfshirë në raportin vjetor të Komisionit Evropian për Malin e Zi, i cili është lëshuar katër muaj më vonë.
Megjithatë, entuziazmi i shprehur nuk ka qenë i justifikuar.
Pas qasjes në dokumente zyrtare dhe analizimit të tyre, Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë mësoi se në vend të 34, prona në Mal të Zi i është ngrirë vetëm një shtetasi rus, të sanksionuar nga BE-ja.
Tridhjetë e tre të tjerët nuk janë në asnjë listë sanksionesh, por ka rastisur që t’i kenë emrat dhe mbiemrat e atyre që janë.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të Shërbimit të Ballkanit të Radios Evropa e Lirë, Administrata e Regjistrimit të Tokave në Mal të Zi tha se bëhet fjalë për një gabim të paqëllimshëm, kryesisht “për shkak të konfuzionit fillestar dhe informacioneve jo të plota”.
Ministria e Brendshme e Malit të Zi nuk iu përgjigj kërkesave të REL-it për koment.
Administrata e Regjistrimit të Tokave tha në deklaratë se ka ekzaminuar gjithë listën e shtetasve rusë, të cilët, në atë kohë, kanë qenë të sanksionuar nga BE-ja, duke kërkuar përputhje të mundshme me rusët që zotëronin pasuri në Mal të Zi.
Në këtë kërkim u gjetën 34 persona, emrat dhe mbiemrat e të cilëve përputheshin me ata në listën e zezë të BE-së.
“U morën vendime… për të ngrirë qasjen në pronat [në Mal të Zi] për shkak të rrezikut të vlerësuar se asetet në fjalë, mund të shiten ose të përdoren si kolateral për të siguruar kredi bankare”, tha Administrata e Regjistrimit të Tokave.
Ines Mërdoviq, aktiviste e Aksionit për të Drejtat Sociale – një OJQ malazeze që mbron qeverisjen e mirë – fajëson institucionet për gabimin.
“Është thjesht gabim t’i ofrohen BE-së informacione që nuk e pasqyrojnë situatën në terren”, thotë Mërdoviq për Radion Evropa e Lirë.
Identiteti i shtetasit rus, pasuritë e të cilit janë ngrirë vërtet në Mal të Zi, nuk është bërë kurrë publik.
Megjithatë, dokumentet zyrtare që pa REL-i, tregojnë se ka gjasa të bëhet fjalë për Marat Bashirovin, një strateg politik rus. Ai është udhëheqës i lartë në rajonin e Luhanskut të Ukrainës, i cili është pjesërisht i pushtuar nga separatistët e mbështetur nga Rusia.
Bashirov ka një apartament prej 33 metrash katrorë në Beçiqi të Malit të Zi. Ai është, gjithashtu, bashkëpronar i një depoje në të njëjtën ndërtesë.
Zyrtarët malazezë e trajtuan shkel e shko çështjen, thotë Mërdoviq, duke vepruar, sipas saj, në një mënyrë që nuk ishte mjaft transparente as për qytetarët e Malit të Zi, as për partnerët evropianë.
“Ne futemi në situata ku dikush e thotë një gjë dhe një tjetër thotë diçka tjetër. Dhe, pastaj, pyet veten se cila është në fakt e vërteta… Në secilin rast, është e tmerrshme që partnerëve tanë evropianë nuk u jepet informacion i plotë dhe i saktë”, thotë Mërdoviq.