Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë thotë se spitali më i madh i Gazës “nuk po funksionon më si spital”.
Duke shkruar në X, dikur në Twitter, Tedros Ghebreyesus tha se spitali Shifa kishte qenë pa energji elektrike për tri ditët e fundit, “pa ujë dhe me internet shumë të dobët që ka ndikuar rëndë aftësinë tonë për të ofruar kujdes thelbësor”.
“Bota nuk mund të qëndrojë e heshtur ndërsa spitalet, të cilat duhet të jenë strehë të sigurta, shndërrohen në skena vdekjeje, shkatërrimi dhe dëshpërimi”, shkroi ai.
Ndërkohë, Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare thotë se bombardimet izraelite dhe përplasjet e armatosura rreth spitalit Shifa janë “intensifikuar” që nga pasditja e së shtunës.
“Infrastruktura kritike, duke përfshirë stacionin e oksigjenit, rezervuarët e ujit dhe një pus, objektin kardiovaskular dhe repartin e maternitetit, u dëmtuan dhe tre infermierë u vranë”, tha agjencia.
Ajo shtoi se disa nga stafi dhe pacientë kanë arritur të largohen ndërsa të tjerët janë bllokuar brenda.