BotaLajme

Franca lëshon urdhër-arrest për presidentin sirian Bashar al-Assad

Gjyqtarët francezë kanë lëshuar fletarrestim për presidentin e Sirisë, Bashar al-Assad, vëllain e tij Maher al-Assad, dhe dy zyrtarë tjerë të lartë, lidhur me përdorim të armëve të ndaluara kimike kundër civilëve në Siri, ka thënë një burim brenda gjyqësorit për agjencinë e lajmeve Reuters.

Fletarrestimet – të cilat lidhen me akuza për përfshirje në krime kundër njerëzimit dhe në krime lufte – vijnë pas një hetimi penal për armët kimike në qytezat Douma dhe Gutën Lindore, në gusht të vitit 2013.

Si pasojë e atyre sulmeve kanë vdekur më shumë se 1.000 njerëz.

Ky është fletarrestimi i parë ndërkombëtar që është lëshuar për presidentin e shtetit të Sirisë, forcat e të cilit kanë tentuar t’i shtypin me forcë protestat e popullit që kanë nisur më 2011.

Ekspertët e Kombeve të Bashkuara kanë thënë se shtypja e evidentuar në Siri përbën krim lufte.

Kjo është edhe hera e parë që është lëshuar fletarrestim për përdorim të armëve kimike në Guta, më 2013, ka thënë Mazen Darwish, avokat dhe themelues i Qendrës Siriane për Media dhe Liri të Shprehjes, i cili e ka hapur një rast në Francë.

Siria e mohon përdorimin e armëve kimike, mirëpo një hetim i përbashkët i OKB-së dhe Organizatës për Ndalim të Armëve Kimike, ka gjetur se Qeveria siriane e ka përdorur agjentin nervor sarin në sulmet e prillit të vitit 2017 dhe e ka përdorur disa herë klorin si armë.

Presidenca siriane dhe Ministria për Informacion, nuk janë përgjigjur në kërkesat për koment.

“Presidenti është përgjegjës për shumë krime në Siri – mirëpo me këtë lloj arme në veçanti – gazin sarin – është e pamundshme të mbushen zbrazëtitë (e përfshirjes së tij)”, ka thënë Darwish për Reuters, duke theksuar se miratimi i presidentit është i detyrueshëm kur ushtria mëton të përdorë një armë të tillë.

Në tetor, gjyqtarët francezë kanë lëshuar fletarrestime për dy ish-ministra sirianë të Mbrojtjes, për shkak të një sulmi me bombë të vitit 2017, që e ka vrarë një burrë francezo-sirian në shtëpinë e tij në Dara. REL

Show More

Related Articles

Back to top button