BotaLajme

Rebelët huthi të Jemenit e rrëmbejnë një anije të ndërlidhur me Izraelin

Rebelët huthi të Jemenit e kanë kapur një anije mallrash të ndërlidhur me Izraelin në një rrugë të rëndësishme tregtare në Detin e Kuq të dielën, duke i rrëmbyer 25 anëtarët e ekuipazhit, njoftuan zyrtarët.

Kjo i ka rritur shqetësimet se tensionet e larta rajonale për shkak të luftës mes Izraelit dhe grupit radikal palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja, Hamas, po nxisin një konflikt të ri detar.

Rebelët huthi, të cilët mbështeten nga Irani, thanë se e rrëmbyen anijen për shkak të lidhjeve të saj me Izraelin dhe se anijet të cilat janë të ndërlidhura apo nën pronësinë e izraelitëve do të jenë cak i tyre derisa të përfundojë lufta e Izraelit kundër udhëheqësve të Hamasit në Gazë.

“Të gjitha anijet që i takojnë armikut izraelit, apo të cilat kanë lidhje me të, do të jenë cak legjitim”, thanë rebelët huthi.

Mohammed Abdul-Salam, kryenegociatori dhe zëdhënësi i grupit huthi, tha më vonë në një komunikatë se izraelitët e kuptojnë vetëm “gjuhën e forcës”.

“Kapja e anijes izraelite është hap praktik i cili dëshmon seriozitetin e forcave të armatosura të Jemenit për betejën detare, pavarësisht kostos. Ky është fillimi”, shtoi ai.

Zyra e kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu, e fajësoi grupin huthi për sulmin ndaj anijes së ndërlidhur me një miliarder izraelit, e quajtur Galaxy Leader. Ajo tha se në bord nuk ishte asnjë izraelit.

Operatori japonez i kësaj anijeje, NYK Line, tha se ajo nuk po barte asnjë ngarkesë në kohën e rrëmbimit. Ekuipazhi përbëhej nga filipinas, bullgarë, rumunë, ukrainas dhe meksikanë, tha NYK.

Japonia e dënoi rrëmbimin e kësaj anijeje të hënën. Sekretari i kabinetit japonez, Hirokazu Matsuno, tha se Qeveria po bën gjithçka për ta siguruar lirimin e hershëm të ekuipazhit përmes bisedimeve me rebelët huthi.

Show More

Related Articles

Back to top button