Një virus misterioz që shkakton pneumoni është përhapur nëpër shkolla në të gjithë Kinën prej disa ditësh, duke rezultuar në një numër të madh fëmijësh të shtruar në spital. Spitalet në Pekin dhe Liaoning janë në mesin e atyre “të mbingarkuar me fëmijë të sëmurë”, ndërsa orët e shkollës ishin në prag të pezullimit.
Fëmijët kanë simptoma të pazakonta që përfshijnë pneumoni dhe temperaturë të lartë, por pa kollë ose simptoma të tjera që zakonisht lidhen me gripin, RSV dhe sëmundje të tjera të frymëmarrjes, sipas mediave botërore.
Alarmi për virusin u lëshua të martën vonë nga ProMed, një sistem global i mbikëqyrjes në dispozicion të publikut që gjurmon sëmundjet infektive. I njëjti njoftim nga ProMed u publikua në dhjetor 2019, dhe tërhoqi vëmendjen e shumë mjekëve dhe shkencëtarëve, përfshirë zyrtarë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Virusi misterioz më vonë u quajt Covid.
“A po e mbulojnë autoritetet epideminë”
Burimi për paralajmërimin është një raport nga FTV News i Tajvanit, i cili shton se “prindërit kanë pyetur veten nëse autoritetet po mbulojnë epideminë”.
Kina është kritikuar shumë për mbulimin e shpërthimit origjinal të SARS në 2003 dhe pandeminë Covid-19 në fund të 2019, që të dyja ishin viruse të reja që shkaktojnë pneumoni.
Sidoqoftë, shpërthimi i ri mund të lidhet me “Mycoplasma pneumoniae”, e cila thuhet se është në rritje në Kinë ndërsa vendi hyn në dimrin e tij të parë pa kufizime strikte Covid.
SHBA dhe Britania e Madhe shënuan rritje të sëmundjeve
SHBA dhe Britania e Madhe kanë parë gjithashtu rritje të sëmundjeve të tilla si RSV dhe gripi pas heqjes së rregullave të pandemisë.
FTV News raportoi se Spitali i Fëmijëve në Pekin ishte i mbipopulluar në orët e para të mëngjesit të së mërkurës.
Situata në provincën Liaoning është gjithashtu e zymtë, raportoi FTV News.
Lobi i një spitali për fëmijë në Dalian thuhet se është i mbushur me fëmijë të sëmurë. Në Spitalin e Mjekësisë Tradicionale Kineze dhe në Spitalin Qendror ka radhë të gjata pacientësh.
“Pacientët duhet të presin në radhë për dy orë, dhe ne jemi të gjithë në urgjencë dhe nuk ka klinika të përgjithshme”, tha një punonjës i Spitalit Qendror Dalian.
Mjekët botërorë janë të shqetësuar për një sëmundje të re infektive
Mjekja Krutika Kupali, një mjeke infeksioniste e cila është pjesë e Programit të Urgjencës së OBSH-së, tha në platformën “X” se sëmundja “mund të jetë çdo gjë”, sepse Kina nuk bëri të ditur se për çfarë testuan.
Dr. Jennifer Nuzzo, një epidemiologe dhe drejtore e Qendrës Pandemike në Shkollën e Shëndetit Publik të Universitetit Brown, tha se nevojitet më shumë transparencë nga Kina për të shmangur një përpjekje të përsëritur për të mbuluar pandeminë Covid-19, duke shtuar:
“Të shohësh një numër në rritje të njerëzve që paraqiten në çdo spital është, sigurisht, alarmante.”
“Nuk dua të përsëris të njëjtin gabim”
Dr Neil Stone, një specialist në sëmundjet infektive në Spitalin University College London, tha gjithashtu se paralajmërimi duhet marrë seriozisht.
“Herën e fundit që pashë raporte të një shpërthimi të pneumonisë së padiagnostikuar në Kinë, mendova, uh…jo gjë e madhe. Kjo ishte në dhjetor 2019 dhe nuk dua të përsëris të njëjtin gabim”, tha Dr Stone.
Media shtetërore Six Tone raportoi se një në dhjetë pacientë vijnë nga jashtë qytetit sepse nuk kanë akses në bronkoskopinë në qytetin e tyre.
“Kjo më shqetëson,” tha doktor Feigl-Ding, sepse bronkoskopia zakonisht nuk nevojiten për rastet e lehta të infeksionit.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) i ka kërkuar Pekinit më shumë informacion mbi shpërthimin e pneumonisë misterioze në Kinën veriore që duket se prek kryesisht fëmijët.
OBSH bëri “një kërkesë zyrtare për informacion të detajuar mbi një rritje të sëmundjeve të frymëmarrjes dhe grupe të raportuara të pneumonisë tek fëmijët”, tha agjencia shëndetësore e Kombeve të Bashkuara në një deklaratë të mërkurën.