Komunat me shumicë shqiptare nuk kanë treguar interesim për të punuar në përmirësimin e shërbimeve sociale, edhe pse Banka Popullore e Maqedonisë së Veriut vjet u ka ofruar mundësi për mbështetje financiare. Komunat e Strugës, Kërçovës dhe Çairit nuk kanë aplikuar fare për të fituar grant prej 30.000 eurove, kurse Tetova me Bërvenicën si dhe Dibra nuk e kanë dorëzuar dokumentacionin ashtu siç është kërkuar. Vetëm Komuna e Gostivarit dhe Vrapçishtit janë pranuar dhe kanë filluar me punë këtë muaj, shkruan Portalb.mk.
Nga fundi i vitit të kaluar Ministria e Punës dhe Politikës Sociale u ka bërë thirrje të hapur komunave për të përmirësuar shërbimet sociale. Fondet për realizimin e projekteve të kësaj kategorie i ka premtuar Banka Popullore, me maksimum 30.000 euro për komunë. Komunat kanë pasur hapësirë të propozojnë projekte në varësi të asaj se cilat shërbime sociale u nevojiten, qoftë kjo shtëpi për pleq, ndihmë në shtëpi për të moshuarit, qendër për personat me nevoja të posaçme e kështu me radhë.
Portalb.mk kërkoi nga MPPS listën e aplikimeve, për të parë se ku janë komunat me shumicë shqiptare me procesin e realizimit të projekteve. Sipas listës Komunat e Strugës, Kërçovës dhe Çairit nuk kanë aplikuar fare.
Për Komunën e Dibrës, nga MPPS thanë se kanë dorëzuar propozim-projekt, buxheti i të cilës e kalon vlerën prej 30,000 eurove. Nga Komuna e Dibrës paralelisht deklaruan se nuk janë në dijeni përse nuk u është pranuar projekti.
Komuna e Tetovës dhe Bërvenicës kanë aplikuar së bashku, por deklaruan se “edhe përkundër dorëzimit të dokumentacionit të plotë (ku u nënshkrua marrëveshje për bashkëpunim ndër-komunale me Komunën e Bërvenicës), ky projekt u refuzua nga Ministria për Punë dhe Politikë Sociale”.
Nga MPPS u përgjigjën se këta komuna në fakt nuk kanë dorëzuar marrëveshje për bashkëpunim, as Deklarata për Miratim të Planit Social, pavarësisht asaj se lista e plotë e të gjitha dokumenteve të nevojshme është e dhënë në ueb-faqe.
“Komuna e Tetovës dhe Komuna e Bërvenicës me shoqatën për shërbime sociale Orhideja, nuk kanë dorëzuar Deklarata për miratimin e Planit Social dhe nuk kanë dorëzuar Marrëveshje për bashkëpunim ndërmjet komunave”, thonë nga MPPS.
Rrjedhimisht nga Komuna e Tetovës premtuan se gjatë vitit 2024 do ta mundësojnë projektin e planifikuar me buxhetin e tyre.
“Për vitin 2024, në kuadër të Programit Vjetor të Këshillit Komunal për Mbrojtje Sociale është planifikuar të ndahet një pjesë e mjeteve të buxhetit komunal për shërbimin Ndihmë dhe përkujdesje në shtëpi për të moshuarit mbi 65 vjeç, si dhe janë planifikuar aktivitete përgatitore për ngritjen e qendrës ditore për të moshuar”, shkruajnë nga Komuna e Tetovës.
Komuna e Gostivarit dhe Vrapçishtit kanë aplikuar së bashku dhe janë të vetmet që janë miratuar. Ato këtë muaj kanë filluar realizimin e projektit “Homecare”, duke ofruar kujdestarë të licencuar që do t’u shërbejnë të moshuarve dhe personave me nevoja të posaçme nga 1 deri në 4 orë në ditë. Ky shërbim është pa pagesë dhe nuk varet nga kategoria sociale e qytetarëve që aplikojnë.
Investimi në përmirësimin e shërbimeve sociale është i nevojshëm në tërë Maqedoninë e Veriut. Në shtator të këtij viti, edhe Bashkimi Evropian shprehu shqetësim mbi të drejtat e fëmijëve dhe personave me aftësi të kufizuara në RMV, kurse më herët këtë vit prindërit që kanë fëmijë me nevoja të veçanta deklaruan se duhet të lënë anash punën, karrierën e jetën e tyre për t’iu dalë në ndihmë fëmijëve të tyre.
Në lidhje me pjesëmarrjen e personave me aftësi të veçanta në jetën sociale në Maqedoninë e Veriut, kritika kishte edhe në Raportin e fundit të Komisionit Evropian për vitin 2022 mbi progresin e Maqedonisë së Veriut në rrugën e saj të integrimit evropian.
Nga ana tjetër, kushte nuk ka as për personat e moshuar, kurse numri i tyre është në rritje. Ministria e Punës dhe Politikës Sociale në prill deklaroi se çdo vit publikojnë thirrje në lidhje me ndërtimin e objekteve sociale dhe të drejtë aplikimi kanë të gjithë komunat.