Pagat e grave në vend janë për 17.5 për qind më të ulëta se ato të meshkujve. Bizneset e tyre përfaqësohen vetëm me 30 për qind dhe nuk shfrytëzohet potenciali me të cilin mund të përmirësojnë gjendjen në ekonomi, theksojnë pjesëmarrësit e Samitit të Tretë për sipërmarrësi të grave i cili nga sot mbahet në Shkup.
“Kapaciteti i grave në biznes është i pashfrytëzuar sepse më pak se 30 për qind janë gra pronare të biznesit, ndërsa më pak se 50 për qind e grave janë aktive në tregun e punës, prandaj duhet të punojmë në rritjen e kapaciteteve të tyre si burim ekonomik. Shumica e grave janë në ndërmarrje mikro dhe të vogla, dhe shumë pak në kompani të mëdha. që do të thotë se ajo që bëjnë gratë është me qarkullim të ulët dhe punësime të vogla”, tha Valentina Disovska nga Platforma kombëtare për sipërmarrësi të grave.
Sipas saj, nevojitet edukim, por edhe njohje e praktikave të mira dhe mentorimit, si dhe angazhimi i institucioneve për përmirësimin e situatës. Po ashtu edhe fond për të mbështetur sipërmarrjen.
“Në biznes, ekonomia ka nevojë për cilësinë e grave. Mbështetja dhe promovimi i sipërmarrësisë femërore do të përmirësojë konkurrencën e përgjithshme”, theksoi zëvendëskryeministri për Çështje ekonomike, Fatmir Bytyqi.
Sipas tij, viteve të fundit është bërë shumë për sipërmarrjen e grave, në të cilën, siç tha ai, “ka shpresa të mëdha”.
-Zvogëlimi i hendekut gjinor është kyç për shfrytëzimin e potencialit të sipërmarrësis së grave në ekonomi, tha Bytyqi, duke theksuar se buxheti për vitin 2023 parashikon mbështetje financiare për sipërmarrjen e grave.
Për 34.25 për qind është rritur numri i kompanive që menaxhohen nga gratë, që sipas ministrit të Ekonomisë Kreshnik Bekteshi tregon se masat e Qeverisë kanë mbështetje, por thekson se kjo nuk mjafton dhe do të pasojnë aktivitete të reja dhe financime shtesë, sipas indikacioneve nga përfaqësues të bizneseve të grave.
Në aktivitetin me mbi 100 pjesëmarrës, ndahen praktikat dhe idetë më të mira për promovimin, zhvillimin dhe mbështetjen e sipërmarrjes së grave.