BotaLajme

Samiti i OSBE-së në Shkup, Rusia thotë se nuk do të ketë takim mes Lavrovit dhe Blinken

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, dhe ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, nuk do të takohen gjatë samitit të kësaj jave në Maqedoninë e Veriut, raportoi agjencia ruse e lajmeve, TASS të hënën, duke e cituar zëvendësministrin e Jashtëm rus, Sergei Ryabkov.

Uashingtoni nuk ka kërkuar takim dhe “nuk do të ketë takim”, tha Ryabkov.

Të hënën më herët, Lavrov tha se do të marrë pjesë në Këshillin Ministror të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), që do mbahet në Shkup më 30 nëntor dhe 1 dhjetor, nëse Bullgaria e hap hapësirën e saj ajrore për fluturimet ruse.

Po ashtu, Lavrov tha se disa vende perëndimore kishin kërkuar tashmë takime me të.

“Nëse dikush na afrohet, ne kurrë nuk ikim apo fshihemi”, u shpreh shefi i diplomacisë ruse.

Paraprakisht, Qeveria e Maqedonisë së Veriut vendosi të heqë ndalesën e fluturimit të avionit rus që do të lejonte pjesëmarrjen e shefit të diplomacisë ruse Lavrov në samitin e OSBE-së në Shkup.

Por, nga Shkupi thanë të hënën se nuk kanë marrë ndonjë zotim nga Sofja që Lavrovit t’i lejohet fluturimi në hapësirën ajrore bullgare.

“Maqedonia e Veriut nuk ka pranuar asnjë premtim nga Bullgaria që Sofja do të hapë hapësirën e saj ajrore për avionin e ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, që ai të marrë pjesë në takimin e Këshillit Ministror të OSBE-së në Shkup. Bullgaria ose Greqia duhet të vendosin nëse njëra prej tyre do të heqë sanksionet për fluturimet ruse apo të lejojë vetëm avionin e Lavrovit të fluturojë në hapësirën e tyre”, thanë për Radion Evropa e Lirë burime nga Ministria e Jashtme e Maqedonisë së Veriut.

Këshilli Ministror i OSBE-së shihet si një ngjarje kyçe në të cilën do të vendoset se si do të funksionojë organizata në të ardhmen, duke pasur parasysh pengesat dhe bllokadat e vazhdueshme të vendosura nga Rusia që nga nisja e pushtimit të Ukrainës shkurtin e vitit të kaluar.

Në të do të marrin pjesë 76 delegacione, 57 nga shtetet anëtare të OSBE-së dhe shtetet e tjera partnere të organizatës.

Show More

Related Articles

Back to top button