Lajme

Konfirmohet: LDK dhe AAK e kanë pranuar draft-statutin e Asociacionit, PDK nuk përgjigjet

Bashkimi Evropian (BE) u ka dorëzuar edhe zyrtarisht një kopje në gjuhën angleze të draft-statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe edhe partive opozitare në Kosovë, transmeton Gazeta Metro.


Nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë konfirmuar për Gazeta Metro, se dje ditën e enjte u është dorëzuar një kopje e draft statutit të Asociacionit.

Zëdhënësi i AAK’së, Kushtrim Xhemaili tha për Metron kjo parti do t’i japë komentit lidhur me draft-statutin pasi ta diskutojnë në organet e partisë.

“Po, mund të ju konfirmoj që dje na është dorëzuar një kopje e draft-statutit të Asociacionit, në gjuhën angleze. Ndërsa, komentet tona për këtë dokument do t’i shpalosim pas diskutimeve në organet e partisë”, tha ai.

Një konfirmim të tillë e ka bërë edhe LDK. Zëdhënësja e kësaj partie, Sibel Halimi, ka konfirmuar për Metron se dje zyrtarisht e kanë pranuar një kopje të draftit të Asociacionit.

Gazeta Metro ka kontaktuar tjera opozitare, Partisë Demokratike të Kosovës por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.

Draft-statuti i Asociacionit i është prezantuar fillimisht kryeministrit Albin Kurti gjatë vizitës së pesëshes evropiane në Prishtinë gjatë muajit tetor, e ku ishte i pranishëm edhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Ndërkaq, pas vizitës në tetor, Lajçak po ashtu ishte për vizitë në Kosovë më 7 nëntor, ku takoi përfaqësuesit e partive opozitare lidhur me draft-statusin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Show More

Related Articles

Back to top button