BotaLajme

Arabia Saudie fyen dhe mirëpret SHBA

Para vizitës së presidentit, Joe Biden në Arabinë Saudite u bë e ditur, se Riadi ka rritur importet e naftës nga Rusia. Në të njëjtën kohë Arabia Saudite do të hapë hapësirën ajrore për shoqërite izraelite të fluturimit.

 Autoriteti i aviacionit civil të Arabisë Saudite bëri të ditur në një mesazh në twitter, se hapësira ajrore do të “hapet për të gjitha shoqëritë e fluturimit, që përmbushin kërkesat e autoriteteve për kalim tranzit”. Kjo masë mundëson edhe fluturimin e avionëve nga Izraeli e për në Izrael dhe u përshëndet nga presidenti Biden si “historike”. “Ky vendim hap rrugën për një rajon të Lindjes së Afërt më të integruar, më të stabilizuar dhe më të sigurtë, gjë që ka rëndësi qendrore edhe për sigurinë dhe mirëqenien e SHBA dhe popullsisë amerikane dhe sigurinë e mirëqenien e Izraelit.”, bëri të ditur këshilltari i Bidenit për sigurinë kombëtare, Jake Sullivan.

Arabia Saudite ka deklaruar, se nuk do të ketë marrëdhënie zyrtare me Izraelin, për sa kohë nuk është zgjidhur konflikti mes Izraelit dhe palestinezëve. Pritet që Biden në vizitën e tij në Arabinë Saudite të angazhohet për normalizimin e marrëdhënieve Izrael-Arabi Saudite.

Arabia Saudite dyfishon importet ruse

Pak më parë u bë e ditur, se mbretëria saudite nga prilli deri në qershor 2022 ka importuar 647.000 tonë naftë përmes porteve ruse dhe estoneze. Mbretëria saudite e përdor naftën e importuar për prodhimin e rrymës elektrike, dhe mund të eksporttojë naftën e saj të papërpunuar. Në muajt e nxehtë të verës në Arabinë Saudite konsumohet shumë energji elektrike.

Rusia e shet naftën e saj në tregjet botërore me ulje të dukshme çmimi për shkak të sanksioneve të BE. Ka shumë shtete që refuzojnë të blejnë naftë nga Rusia për shkak të luftës ruse në Ukrainë. Por vende si Kina, India dhe shumë vende afrikane dhe në Lindjen e Afërt kanë rritur importet e tyre.

Të premten, Joe Biden qëndron në Arabinë Saudite, stacioni i fundit i vizitës së tij në Lindjen e Afërt. Pritet që Biden të nxisë mbretërinë saudite për rritjen e eksporteve të naftës. Jo vetëm në BE, edhe në SHBA çmimet e larta të karburanteve janë temë e ditës. Biden ndodhet nën presion në SHBA për shkak të rritjes së këtyre çmimeve, e kjo katër muaj para zgjedhjeve të rëndësishme për kongresin. Biden i hodhi poshtë akuzat, se me vizitën e tij ai po i vendos në rend të dytë të drejtat e njeriut, pas nevojës për naftë.

la/nob/as/qu/ie (rtr, afp)

Show More

Related Articles

Back to top button