Të paktën 25 ushtarë dhe 27 militantë u vranë në disa incidente, përfshirë një sulm me armë dhe bombë, në veriperëndim të Pakistanit të martën, transmeton Anadolu.
Në deklaratën e ushtrisë pakistaneze thuhet se një sulm vetëvrasës është kryer me një autobombë në mëngjes kundër një pike sigurie në rajonin Dera Ismail Khan të Khyber Pakhtunkhwa, në kufi me Afganistanin.
Në sulm humbën jetën 23 ushtarë dhe u neutralizuan 6 militantë. Numri i viktimave është rritur dhe ka të plagosur si pasojë e shembjes së një ndërtese nga shpërthimi i bombës.
Forcat e sigurisë kanë kryer një operacion kundër militantëve në qytetin Darazinda dhe Kulaçi të Dera Ismail Khan.
Të paktën 17 militantë u neutralizuan në përleshjet që shpërtheu në Darazinda. Gjatë përleshjeve në Kulaçi humbën jetën 2 ushtarë dhe u neutralizuan 4 militantë.
Ushtria pakistaneze nuk dha informacione se nga cila organizatë ishin militantët.
Sulmet terroriste janë shtuar këtë vit në Pakistan, veçanërisht në provincat e Khyber Pakhtunkhwa dhe Baluçistan.
Islamabadi argumenton se sulmet ishin planifikuar dhe drejtuar nga talebanët pakistanezë (TTP) me bazë në Afganistan. Por, Afganistani i mohon këto akuza.