Agjencia për shërbime mediatike audio dhe audiovizuele shprehet jashtëzakonisht e shqetësuar për propozimet për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për shërbime mediatike audio dhe audiovizuele, për të cilat këto ditë pati reagime nga shoqatat dhe organizatat përkatëse, transmeton Portalb.mk.
Zgjidhjet e propozuara janë problematike nga disa aspekte, duke filluar nga vetë përcaktimi i fushatave me interes publik, mënyra e realizimit të tyre dhe veçanërisht financimi i tyre me fonde nga buxheti i shtetit dhe nga buxhetet e njësive të vetëqeverisjes lokale, informon AShMAA.
“Mediat kanë detyrime dhe përgjegjësi ndaj publikut dhe këtë rol duhet ta kryejnë pa kompensim dhe pa asnjë ndikim. Me ndryshimet e propozuara, fondet buxhetore do të përdoren për të paguar për transmetimin e ideve dhe aktiviteteve të pushtetit qendror dhe lokal, gjë që hap sërish hapësirë për cenimin e drejtpërdrejtë të pavarësisë editoriale dhe pavarësisë së mediave, korruptimin e tyre dhe krijimin e një klientelizmi dhe Qëndrimi servil ndaj qeverisë”, deklaruan nga AShMAA.
Nga trupi rregullator sqaron se Ligji aktual për Shërbimet Mediatike Audio dhe Audiovizive parashikon që fushatat me interes publik dhe apelet për bamirësi transmetohen pa pagesë në programet e radiodifuzerëve.
“Sipas standardeve, fushata me interes publik konsiderohen ekskluzivisht ato që kanë të bëjnë me tema të përfitimit më të gjerë social ose qëllimit altruist (si trafiku dhe siguria rrugore, detyrat qytetare, fushatat shëndetësore e kështu me radhë), pavarësisht se kush është porositës i tyre”, thonë nga AShMAA.
Agjencia edhe më herët ka reaguar publikisht se fondet e taksapaguesve, pra qytetarëve, të mos përdoren për reklamim në media. Gjithashtu, fushatat me interes publik nuk duhet të përdoren si mënyrë për të subvencionuar median.
“Rregullatori është i mendimit se krijimi i përmbajtjeve programore duhet të subvencionohet, por duhet bërë në atë mënyrë që të kontribuojë në krijimin e programeve cilësore radiotelevizive me interes publik, pa cenuar pavarësinë e medias”, shtojnë nga institucioni.
AShMAAV shton se për të miratuar zgjidhje ligjore që do të garantojnë lirinë dhe pavarësinë e medias, çdo ndryshim në legjislacionin e medias duhet t’i nënshtrohet konsultimeve më të gjera publike me të gjithë aktorët, mbi të gjitha me shoqatat profesionale përkatëse dhe rregullatorin, dhe të jetë në përputhje me Direktivën e Shërbimeve Mediatike Audiovizive të Bashkimit Evropian.