Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, dënoi sulmin e javës së kaluar ndaj ambasadës së SHBA-së në Irak, transmeton Anadolu.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller, njoftoi se Blinken zhvilloi një bisedë telefonike me kryeministrin irakian Mohammed Shia al-Sudani, ku dënoi edhe një seri sulmesh ndaj personelit amerikan në Irak dhe Siri në javët e fundit.
“Sekretari përshëndeti dënimin e ashpër të kryeministrit për sulmet e fundit si ‘akte terrorizmi’, si dhe zotimin e qeverisë irakiane për të hetuar dhe për të mbajtur përgjegjës autorët”, tha Miller, duke shtuar:
“Sekretari vuri në dukje se sulmet po kryhen nga milicitë që veprojnë me mbështetjen e Iranit dhe minojnë sovranitetin dhe pavarësinë e Irakut. Ata u zotuan të qëndrojnë në kontakt të ngushtë gjatë ditëve dhe javëve në vijim”.
Ambasada e SHBA-së në Bagdad u sulmua të premten, ku të paktën dy raketa ranë në afërsi të saj, por asnjë pjesëtar i stafit nuk u lëndua.
Deri më tani, asnjë grup nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmin, i cili ishte i pari kundër ambasadës amerikane që nga 7 tetori.
Që nga 7 tetori, pas sulmit shkatërrues të Izraelit në Rripin e Gazës, bazat ushtarake amerikane në Irak dhe Siri janë sulmuar nga të paktën 70 sulme me raketa dhe mjete ajrore pa pilot, sulme që shihen si kundërpërgjigje kundër politikës së SHBA-së për të mbështetur Izraelin.