Vizitorët nga e gjithë bota në Kenia, nga 1 janari 2024, nuk do të kenë më nevojë për viza për të udhëtuar në shtetin afrikan, raporton Reuters, përcjell gazeta online Reporteri.net.
Kështu ka njoftuar të martën Presidenti i këtij shteti William Ruto. Ai tha se qeveria e tij ka zhvilluar një platformë dixhitale për të siguruar që të gjithë vizitorët, paraprakisht, të marrin një autorizim elektronik udhëtimi, në vend që të aplikojnë për vizë.
“Nuk do të jetë më e nevojshme që asnjë person nga asnjë cep i globit të mbajë barrën e aplikimit për vizë për të ardhur në Kenia,” njoftoi Presidenti kenian gjatë një fjalimi në kryeqytetin Nairobi, gjatë një ngjarje të shënimit të 60 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kenias nga Britania.
1 janari 2024 korrespondon edhe me datën kur shtetasit e Kosovës do të mund të udhëtojnë pa viza në vendet e Europës, raporton gazeta online Reporteri.net.
Rrjedhimisht, përveç në kontinentin tonë, nga kjo datë, kosovarët pa viza do të mund të udhëtojnë edhe Kenia, sikurse të gjithë qytetarët tjerë të botës që ua heq atë ditë shteti afrikan nevojën për të pasur vizë për ta vizituar.
Kenia përkundër se nuk e njeh ende zyrtarisht shtetin e Kosovës, ky shtet i njeh pasaportat e Kosovës nga marsi i këtij viti.