LajmeMaqedoni

Samiti i BE-së: Kapitujt, pas ndryshimeve kushtetuese

Zgjerimi i Bashkimit Evropian, me gjashtë vendet e rajonit, zbutja e pasojave të ndikimit të agresionit rus në Ukrainë, dhe ekonomia janë disa nga temat që diskutohen në Samitin BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel. Fokus i veçantë do t’i kushtohet gjithashtu Planit të BE-së për Zhvillimin e Ballkanit Perëndimor, i cili peshon gjashtë miliardë euro. Samiti pason Këshillin e Çështjeve të Përgjithshme, i cili përcaktoi projekt-konkluzionet që Këshilli Evropian pritet të miratojë në dy ditët e ardhshme. Sipas tyre, për Maqedoninë do të caktohet Konferencë e Dytë Ndërqeveritare sapo të përmbushet kushti, miratimi i ndryshimeve kushtetuese. Konkluzionet, në pjesën për vendin, mirëpresin zhvillimin e politikës së jashtme, progresin në kriteret ekonomike, por kërkojnë përpjekje shtesë për sundimin e ligjit.

“Maqedonia e Veriut, duhet të japë rezultate në fushën e pavarësisë, profesionalizmit dhe paanshmërisë së gjyqësorit, në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe reformat e administratës publike”, thuhet në Projekt konkluzionet e Këshillit Evropian.

Pikërisht sundimi i ligjit është kapitulli, që hapet i pari dhe mbyllet në fund të negociatave, para anëtarësimit. Presidenti Stevo Pendarovski, theksoi se Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja luftojnë korrupsionin më shumë se sa disa institucione në vend. Ai bëri thirrje që reformat në këtë fushë të jenë një projekt i domosdoshëm dhe mbipartiak.

“Lufta kundër korrupsionit, jo vetëm në rastin tonë, kryhet në mënyrë më efektive kur vendi është i përqendruar në integrimin evropian. Prandaj, as konteksti gjeopolitik, as kriza ekonomike apo energjetike, as bllokimet e integrimit nuk duhet të na largojnë nga ky qëllim. Ne e dimë se nga vetë natyra e saj, integrimi evropian nuk mund të jetë qëllimi, dhe prioritet i vetëm një subjekti politik. Është një projekt nacional”, deklaroi Stevo Pendarovski – President.

Ka të ngjarë që edhe Shqipëria të presë edhe Konferencën e Dytë Ndërqeveritare. Greqia pritet të vendosë një pengesë, për shkak të mosmarrëveshjeve në lidhje me arrestimin e kryetarit të komunës së Himarës, Beleri. Ai u arrestua për gjoja blerje votash. Për Kosovën dhe Serbinë, Brukseli bën thirrje për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme të situatës në veri, për të përmbushur angazhimet e marra dhe për të punuar për të ulur tensionet. /Alsat.mk

Show More

Related Articles

Back to top button