BotaLajme

Kush është shqiptari që i dha fund jetës në ‘anijen hotel’ në Angli! Motra: Rojet e trajtonin si kafshë

Një 27-vjeçar shqiptar i dha fund jetës në Angli rreth një javë, ndërsa mediat britanike kanë zbuluar identitetin e tij. Leonard Farruku, 27 vjeç, nga Manza e Durrësit është shqiptari i vetëvrarë në anijen Bibby Stockholm ku mbahen azilkërkuesit e regjistruar në Britani.

Identiteti i viktimës, i cili u gjet pa jetë javën e kaluar, është zbuluar nga ‘The Telegraph’, që shkruan se i riu pagoi 4,000 euro për të kaluar Kanalin La Mansh me gomone duke hyrë ilegalisht në Britani verën e kaluar.
Vetëvrasja u bë publike të mërkurën ndërsa mediat raportojnë se azilkërkuesi shqiptar ishte ankuar për gjendjen e tij mendore një ditë para se të vdiste. Dëshmitarët i thanë medias britanike se 27-vjeçari ishte dëgjuar duke bërtitur dhe përplasur në murin e kabinës ku mbahej.

Motra e tij, Jola Dushku, 33 vjeçe, e cila jeton në Lombardi të Italisë, tha se ishte e tronditur nga lajmi, të cilin e morën vesh nga të afërmit në Mbretërinë e Bashkuar. Ajo ka deklaruar se “do të gjejë qetësinë vetëm atëherë kur të mësojë të vërtetën se çfarë ndodhi atë natë me vëllanë në anijen hotel Bibby Stockholm”.
“Kur fola me të herën e fundit, ai më tha se po trajtoheshin nga rojet si kafshë.”- ka thënë motra e Farrukut.
“Vëllai im, kur mbërriti në MB, i dha Home Office adresën e të afërmve tanë në Londër. Ata u kontaktuan nga policia e cila u tregoi se çfarë kishte ndodhur.
“Sipas të afërmve tanë që janë në kontakt me policinë, Leonardi atë natë në orën 23 të mbrëmjes ka pasur disa probleme dhe është qetësuar nga roja. Në orën 3 të mëngjesit ai u gjet i vdekur. Nuk kemi më shumë detaje se si ai vdiq.”
Sipas saj, Leonardi emigroi drejt Anglisë për një jetë më të mirë dhe për të fituar një leje qëndrimi. Ajo ka thënë për mediat britanike se pikërisht për këtë arsye, vëllai i saj iu bind kërkesës së Home Office për të shkuar për t’u akomoduar në atë anije, ku edhe i dha fund jetës.
“Ai erdhi në MB me ëndrrën për të gjetur punë më të mirë dhe, më e rëndësishmja, për të marrë leje të pacaktuar për të qëndruar në Mbretërinë e Bashkuar,” tha Dushku.
“Ai tha: “Po”, kur i thanë atij se akomodimi i tij i ri do të ishte në atë varkë ku ai kaloi ditët e fundit të jetës së tij,” tha ajo.
Ajo tha se ata kishin humbur të dy prindërit e tyre, një humbje që ndryshoi vëllain e saj.
“Leonardi u bë një person tjetër kur nëna jonë vdiq. Vdekja e saj e ndryshoi atë”, tha ajo.
Për këtë ngjarje, një zëdhënës i Home Office tha se ky ishte një incident tragjik dhe s engjarja është në hetim.
“Ky ishte një incident tragjik dhe ngushëllimet tona shkojnë me të prekurit. Mirëqenia e personave nën kujdesin tonë ka një rëndësi parësore dhe ne marrim përgjegjësinë tepër seriozisht për këtë. Kjo ngjarje është duke u hetuar nga policia dhe mjekësia ligjore në analizimin e fakteve e rrethanave të kësaj vdekje”.
Mendohet se aktualisht, 300 azilkërkues meshkuj janë vendosur në anijen hotel “Bibby Stockholm” e cila ka një kapacitet deri në 506 persona.

Show More

Related Articles

Back to top button