Një vullkan ka shpërthyer në gadishullin Reykjanes të Islandës jugperëndimore pas disa javë tërmetesh intensive në zonë.
Rreth 4.000 njerëz ishin evakuar sakaq më parë nga qyteti Grindavik aty pranë, i njohur për peshkimin, e po kështu qenë mbyllur edhe banja termale Blue Lagoon. Mes frikës megjithatë, ka qenë e pamundur të mos admiroheshin dhe pamjet spektakolare të tij, të cilat bënë me shpejtësi xhiron e rrjetit.
Rajoni rreth kryeqytetit të vendit, Rejkjavik kishte përjetuar që prej fundit të tetorit një shtim të aktivitetit sizmik. Zyra e Meteorologjisë tha se shpërthimi ndodhej rreth 4 km në veri-lindje të Grindavikut, dhe tërmetet po shënoheshin gjithmonë e më shumë pranë tij, cka i shtyu autoritetet të merrnin masa. Imazhet dhe videot e postuara në mediat sociale treguan llavën teksa shpërthente nga vullkani vetëm një orë pasi u diktuan një sere tërmetesh të njëpasshme në afërsi të tij. Shpërthimi mund të shihhej nga Reykjavik edhe pse ai ndodhet 42 km në veri-lindje të Grindavik.
Një dëshmitar okular atje i tha BBC-së se gjysma e qiellit në drejtim të qytetit ishte “ndriçuar në të kuqe” , ndërsa mund të shihej edhe shtëllunga gjigande e hirit në ajër.
Autoritetet i paralajmëruan qytetarët të qëndrojnë larg zonës. Zyra vendase e Metereologjisë njoftoi se gjatësia e carjes në shpatin e vullkanit është rreth 3.5 km, ndërsa llava po rrjedh me një shpejtësi prej rreth 100 deri në 200 metra kub në sekondë.