Kur bëhet fjalë për ekonominë kineze, një fjalë e përdorur zakonisht nga bota e jashtme është “elasticitet”. Të dhënat ekonomike kombëtare të Kinës për gjysmën e parë të vitit 2022 të publikuara të premten e provojnë sërish këtë.
Nga të dhënat zyrtare del se, sipas përllogaritjeve paraprake, PBB-ja e Kinës në gjysmën e parë të vitit ishte 56.2642 trilionë juanë, një rritje prej 2.5 % në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në situatën e ndërlikuar dhe të paqëndrueshme të brendshme dhe ndërkombëtare, ekonomia kineze është stabilizuar dhe rimëkëmbur, veçanërisht në tremujorin e dytë, gjatë të cilit shënoi rritje, ndërsa tregu u stabilizua. Këto arritje u siguruan me vështirësi.
Mund të shihet se rritja prej 2.5 % e ekonomisë kineze në gjysmën e parë të vitit u arrit në sfondin e rënies së treguesve kryesorë të prodhimit dhe kërkesës në prill dhe maj, prandaj kjo rritje tregon elasticitetin e fortë të ekonomisë kineze. Në të njëjtën kohë, ajo lidhet ngushtë me këmbënguljen e Kinës, që ka zbatuar 33 politika dhe masa në gjashtë fusha, duke përfshirë politikën fiskale, politikën monetare dhe financiare, stabilizimin e investimeve dhe nxitjen e konsumit, garantimin e sigurisë ushqimore dhe energjetike, sigurimin e stabilitetit të zinxhirëve industrialë e të furnizimit, dhe sigurimin e jetesës bazë të njerëzve.
Vlen të theksohet se, në gjysmën e parë të këtij vitit, treguesi i çmimeve të konsumit i Kinës u rrit me 1.7 %, dukshëm më e ulët se rritja prej 8 % në vendet evropiane dhe ShBA. Kjo gjë është në të mirë të funksionimit të qëndrueshëm të ekonomisë kineze dhe të përmirësimit të jetesës së njerëzve.
Që nga fillimi i këtij viti, çmimet ndërkombëtare të lëndëve të para e produkteve, veçanërisht të ushqimeve dhe energjisë elektrike, kanë vazhduar të jenë të larta, gjë që ka një ndikim më të madh në inflacionin e importuar në Kinë. Kina iu përgjigj pasigurisë së mjedisit të jashtëm me sigurinë e ofertës së brendshme e të qëndrueshmërisë së çmimeve, dhe u fokusua në prodhimin e ushqimit dhe energjisë, gjë që garantoi efektivisht stabilitetin bazë të çmimeve. Sivjet prodhimi i përgjithshëm i drithërave verore në Kinë është 147.39 milionë tonë, 1.434 milionë tonë ose 1.0 % më shumë krahasuar me një vit më parë.
Në të ardhmen, ndërsa situata e parandalimit të epidemisë përmirësohet dhe efektet e politikave vazhdojnë të shfaqen, do të hyjnë në lojë epërsitë e Kinës, si ekonomia e madhe, hapësira e gjerë e tregut, qëndrueshmëria e fortë e zhvillimit dhe shtimi i përfitimeve nga reformat. Siç ka thënë drejtuesi i degës së Shangait të kompanisë “JPMorgan”: “Unë besoj se ndikimi i epidemisë është i përkohshëm dhe perspektivat e mira të investimeve në tregun kinez janë ende faktori kryesor në tërheqjen e kompanive shumëkombëshe globale, dhe ne do të vazhdojmë të investojmë në tregun kinez”.
Si është ecuria ekonomike e Kinës? Rezultatet që regjistroi ekonomia kineze në gjysmën e parë të vitit, duke u përballur me vështirësi dhe duke u stabilizuar e mëkëmbur, janë përgjigjja. Qëndrueshmëria e ekonomisë së Kinës ka rritur besimin e popullit kinez për t’u përballur me rreziqe dhe sfida të ndryshme.
Në gjysmën e dytë të këtij viti ka ende shumë faktorë të jashtëm të paqëndrueshëm e të pasigurt, dhe baza e rimëkëmbjes ekonomike të Kinës ende nuk është e fortë. Megjithatë, tani themelet e përgjithshme të rritjes ekonomike afatgjatë të Kinës nuk kanë ndryshuar, dhe elasticiteti i ekonomisë kineze është i dukshëm. Ekonomia kineze mund të ruajë rritjen në një sferë të arsyeshme dhe të forcojë ekonominë globale.