BotaLajme

Kim Jong Un paralajmëron “sulm bërthamor”

Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, tha se Peniani nuk do të ngurrojë të kryejë sulm bërthamor, nëse “një armik na provokon me armë bërthamore”, raportuan mediat shtetërore të enjten.

Kimi i bëri këto komente gjatë një takimi me ushtarët që po punonin në bazën raketore të ushtrisë dhe i uroi ata për lëshimin e raketës balistike interkontinentale nga Peniani në fillim të kësaj jave, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve KCNA.

Ai tha se testimi i raketës dëshmoi besnikërinë dhe qëndrimin e fuqishëm të forcave të armatosura, dhe se ishte “një shpjegim i qartë i zhvillimit të strategjisë dhe doktrinës bërthamore të DPRK-së për të mos ngurruar të kryejë sulm bërthamor kur armiku provokon me armë bërthamore”, sipas KCNA.

DPRK-ja është shkurtesë e emrit zyrtar të Veriut, Republika Demokratike Popullore e Koresë.

Të hënën, Koreja e Veriut e lëshoi në det raketën Hwason-18 ICBM gjatë një stërvitjeje që kishte për qëllim t’i paralajmëronte Shtetet e Bashkuara dhe Korenë e Jugut për hapa konfrontues. Si arsye për këtë, Koreja e Veriut e përmendi një takim të vonshëm mes SHBA-së dhe Koresë së Jugut për të biseduar për frenimin e planeve të saj bërthamore.

SHBA-ja, Koreja e Jugut dhe Japonia e kanë kritikuar testimin raketor të Koresë së Veriut duke e cilësuar si provokim dhe duke thënë se i ka shkelur shumë rezoluta të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të cilat ia ndalojnë Veriut aktivitetet balistike.

Dy ditë më vonë, bombarduesit amerikanë me rreze të gjata veprimi kryen stërvitje të përbashkëta me avionët luftarakë të Japonisë dhe Koresë së Jugut, në shenjë force kundër Koresë së Veriut

Bombarduesi B-1B është në gjendje të bartë ngarkesë të madhe të armëve konvencionale. Në të kaluarën, Koreja e Veriut e ka cilësuar fluturimin e bombarduesit amerikan mbi Gadishullin Korean si dëshmi e armiqësive amerikane dhe është përgjigjur duke kryer testime raketore.

Por, shumë ekspertë të huaj thonë se Koreja e Veriut ende përballet me pengesa teknologjike për të zotëruar raketa balistike interkontinentale me kokë bërthamore me të cilat do të mundë ta godiste SHBA-në./REL

Show More

Related Articles

Back to top button