Sa i përket qëndrimit insistues të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në lidhje me nënshkrimin e marrëveshjeve, përfshirë draft-statutin evropian për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, diplomati sllovak ka qartësuar se dokumenti është pranuar nga të dyja palët dhe së këndejmi, marrëveshjet janë ligjërisht të detyrueshme për palët edhe pa nënshkrim
Emisari Special i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, në prag të përmbylljes së një viti tē rrethanave të jashtëzakonshme e rrjedhimisht, një vit i zhvillimeve sfiduese, ka dhënë disa porosi të rëndësishme sa i përket vijimësisë së procesit dialogues, pavarësisht zig-zageve dhe spiraleve të hasura përgjatë vitit. Lajçaku ka shuar shumë dilema gjatë intervistës për gazetën “Express” të enjten, posaçërisht sa i përket çështjes së themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në bazë të propozimit të fundit të BE-së, gjithmonë duke i bërë jehonë brengës për mungesën e vullnetit të palëve për t’i zbatuar marrëveshjet, por për herë të parë ka përmendur afate kohore. Ai e ka përmendur fundin e janarit si afat optimal për formalizimin e Marrëveshjes Bazë (Bruksel, 27 shkurt) për normalizimin e marrëdhënieve, duke inkorporuar zbatimin e obligimeve në Kapitullin 35 të negociatave për anëtarësimin e Serbisë në BE, ku i kërkohet njohja de facto e Kosovës e mos-refuzimi i anëtarësimit të Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare. “Shtetet anëtare e kanë ngarkuar BE-në që zotimet e Serbisë të përfshihen në Kapitullin 35 të negociatave me Serbinë, i cili mbulon normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, para fundit të janarit 2024. Pra, këtu kemi një afat të qartë kohor për formalizimin e marrëveshjes si pjesë e marrëveshjes kontraktuale me BE-në dhe e kritereve të anëtarësimit të Serbisë”.
Sa i përket qëndrimit insistues të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në lidhje me nënshkrimin e marrëveshjeve, përfshirë draft-statutin evropian për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, diplomati sllovak ka qartësuar se dokumenti është pranuar nga të dyja palët dhe së këndejmi, marrëveshjet janë ligjërisht të detyrueshme për palët edhe pa nënshkrim. “Prandaj, me pëlqimin e të dyja palëve, ne e formalizuam marrëveshjen përmes një deklarate të Përfaqësuesit të Lartë [për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell]. Kjo është plotësisht në përputhje me Konventën e Vjenës për të Drejtën e Traktateve. BE-ja e ka thënë publikisht shumë herë se marrëveshja është ligjërisht e detyrueshme dhe valide”, ka thënë ai. “Në këtë kontekst, duhet ta përsërisë qëndrimin e BE-së – por edhe të SHBA-ve – se çështjet formale, siç është mënyra e miratimit, nuk duhet ta pengojnë procesin e zbatimit. Në fund të fundit, palët do të vlerësohen në bazë të zbatimit, jo mënyrës së formalizimit”, ka shtuar diplomati sllovak, duke iu kundërpërgjigjur maksimës se vetëm nënshkrimi garanton zbatimin.
E duke folur për mundësinë e ndryshimeve të modaliteteve të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, ai ka lënë të hapur mundësinë e intervenimit në dokumentin e prezantuar para palëve në tetor të këtij viti. Ai ka thënë se BE-ja është e gatshme të bëjë “rregullime të arsyetura” në draft-statut, jo diçka substanciale, por vetëm për të përmirësuar lexueshmërinë e teksit. “Ne e kuptojmë rëndësinë e qartësisë së plotë në lidhje me këtë dokument dhe kemi kënaqësinë t’i përgjigjemi secilës pyetje që lidhet me të. Në të njëjtën kohë, jemi të gatshëm të bëjmë rregullime të arsyetuara dhe sqarime, veçanërisht për ta përmirësuar lexueshmërinë e tekstit dhe për ta bërë më të kuptueshëm”, ka theksuar ndërmjetësi sllovak.
Lajçaku ka treguar arsyen pse në draft-statutin e BE-së është përfshirë çështja e arbitrazhit e cila është konsideruar nga ekspertë të çështjeve juridike si “drita e kuqe” e kornizës aktuale. Madje, shumë kanë konsideruar se çështja e arbitrazhit e përjashton autoritetin e Gjykatës Kushtetuese në zgjidhjen e kontesteve midis autoriteteve qendrore dhe mekanizmit vetë-qeverisës. “Në këtë drejtim, draft-statuti u referohet mosmarrëveshjeve ndërmjet Asociacionit dhe autoriteteve qendrore të Kosovës në lidhje me zbatimin dhe interpretimin e Statutit. Pa këtë dispozitë, do të kishte një hendek ligjor sepse korniza ligjore e Kosovës as nuk përmban një mekanizëm për zgjidhjen e kontesteve dhe as nuk e parasheh juridiksionin e gjykatave të Kosovës”.
Megjithatë, ai ka nënvizuar se çështja e arbitrazhit nuk e përjashton apo pengon në asnjë mënyrë shqyrtimin gjyqësor të vendimeve të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe nga gjykatat e Kosovës. Propozimi i BE-së, sipas diplomatit sllovak, ka adresuar edhe çështjen e shqyrtimit gjyqësor të vendimeve të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë. Duke folur për mos-pajtimet në lidhje me Aneksin e Implementimit apo Planin e Sekuencimit (Ohër, 18 mars), diplomati sllovak ka potencuar se zbatimi i obligimeve të Kosovës dhe Serbisë duhet të ndodhë në një mënyrë paralele dhe të garantohet se kur palët zbatojnë diçka nga pikat e marrëveshjes, diçka tjetër të marrin në këmbim përgjatë procesit. “Gjatë takimit të fundit të kryenegociatorëve në nëntor, të dyja palët e pranuan për herë të parë filozofinë e një qasje të tillë paralele dhe hap pas hapi. Diskutimet për hapat dhe veprimet dhe rendin e tyre vazhdojnë dhe presim që palët të arrijnë një marrëveshje së shpejti në mënyrë që më në fund të fillojë zbatimi”, ka thënë ndër të tjera Emisari Special i BE-së.