BotaLajme

Rusia paralajmëron ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Shtetet e Bashkuara

Rusia mund të ndërpresë marrëdhëniet diplomatike me Shtetet e Bashkuara nëse Uashingtoni konfiskon pasuritë e ngrira të Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë, njoftoi agjencia ruse e lajmeve Interfax duke cituar zëvëndës ministrin e Jashtëm Sergei Ryabkov.

Shtetet e Bashkuara “nuk duhet të veprojnë sipas iluzionit se Rusia është e varuar nga marrëdhëniet diplomatike me ta,” tha zoti Ryabkov.

Rusia i ka cilësuar marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara si “nën pikën zero” për shkak të ndihmës ushtarake dhe financiare të Sheteve të Bashkuara për Ukrainën.


Zoti Ryabkov tha se ndërprerja e marrëdhënieve nuk do të fillohej nga ana e Rusisë, por se një gjë e tillë mund të nxitej nga një sërë faktorësh.

“Shkak mund të jetë konfiskimi i pasurive, përshkallëzimi i mëtejshëm ushtarak, shumë gjëra të tjera. Nuk do të doja të hyja në parashikime negative,” tha ai, duke shtuar se Moska ishte “gati për çdo skenar”.

Disa politikanë perëndimorë po kërkojnë me forcë që pasuritë e ngrira të Rusisë, me një vlerë prej rreth 300 miliardë dollarësh, t’i jepen Ukraiës për ta ndihmuar në rindërtimin e ekonomisë të shkatërruar nga lufta.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov u tha gazetarëve të premten se çdo veprim i tillë do t’i jepte një goditje të rëndë sistemit financiar global.

Ai tha asnjë vend që konfiskonte pasuritë e Rusisë nuk do të lihej në paqe nga ana e Moskës dhe se në një skenar të tillë Rusia do të shqyrtonte se cilat pasuri perëndimore mund të konfiskonte për t’u hakmarrë.

Show More

Related Articles

Back to top button