BotaLajme

SHBA do t’i ofrojë Ukrainës armatime me vlerë 250 milionë dollarë

Shtetet e Bashkuara do të ofrojnë ndihma për Ukrainën që kapin vlerën deri në 250 milionë dollarë, paketa e fundit për këtë vit për Kievin në luftën kundër agresionit të Moskës, tha të mërkurën Sekretari i Shtetit Antony Blinken.

Presidenti Joe Biden i ka kërkuar Kongresit që të miratojë një paketë ndihme për Ukrainën me vlerë 61 miliardë dollarë, por që po kushtëzohet nga republikanët të cilët kërkojnë miratimin e fondeve për të forcuar sigurinë përgjatë kufirit SHBA-Meksikë.

Shtëpia e Bardhë ka paralajmëruar se pa miratimin e fondeve shtesë, ndihma amerikane do të mbarojë deri në fund të vitit. Shtetet e Bashkuara kanë miratuar disa paketa ndihme për Ukrainën në luftën e saj për të rimarrë territoret e pushtuar nga forcat ruse që nga fillimi i agresionit të Kremlinit në shkurt 2022.

Sekretari Blinken tha se paketa e fundit e ndihmës përfshinte municione për mbrojtjen ajrore, sistemet e raketave të artilerisë me lëvizshmëri të lartë, municione artilerie dhe kundër blindave dhe mbi 15 milionë fishekë.

Kongresi ka miratuar më shumë se 110 miliardë dollarë ndihma për Ukrainën që nga pushtimi i Rusisë, por nuk ka miratuar asnjë fond që kur republikanët morën kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve në janar të vitit 2023. /VOA

Show More

Related Articles

Back to top button