Ministria e Shëndetësisë e Hamasit njoftoi sot se operacionet ushtarake izraelite në Rripin e Gazës kanë marrë jetën e 21,672 njerëzve që nga fillimi i luftës më 7 tetor. Njëqind e gjashtëdhjetë e pesë persona u vranë dhe 250 u plagosën në 24 orët e fundit, tha i njëjti burim, duke shtuar se që nga 7 tetori janë lënduar 56.165 persona.
Ndërkohë, forcat e armatosura izraelite njoftuan sot një armëpushim katër orësh në një kamp në Rafah, në pjesën jugore të Rripit të Gazës. Aktivitetet ushtarake atje do të pezullohen përkohësisht për arsye humanitare, tha një zëdhënës i ushtrisë në arabisht në Twitter. Pauza u vendos për të lejuar popullsinë të merrte furnizime, shkroi zëdhënësi izraelit.
Ushtria izraelite më herët u kishte bërë thirrje banorëve të qytetit jugor të enklavës Khan Younis që të kërkonin siguri në Rafah, afër kufirit me Egjiptin.
Sot ushtria caktoi gjithashtu një rrugë për civilët për të anashkaluar atë që përdornin më parë për t’i shpëtuar Khan Younis, pasi ishte përshkruar si “e rrezikshme”.
Mijëra palestinezë janë strehuar në Rafah dhe po jetojnë në tenda.