Numri i viktimave në Japoni nga tërmeti i fuqishëm ka shkuar në 78 të enjten, sipas mediave lokale, transmeton Anadolu.
Vendndodhja e të paktën 51 personave mbetet e panjohur dhe janë shpallur “të pagjetur”, raportoi “Kyodo News” me bazë në Tokio.
Japonia Qendrore është goditur nga një seri tërmetesh që nga pasditja e së hënës me intensitet deri në 7.6 ballë, duke shkaktuar shkatërrime të shumta, ndërsa shumë zona ende janë të shkëputura.
Japonia është goditur nga rreth 600 lëkundje që nga e hëna. Epiqendra e tërmetit ishte në rajonin Noto përballë Detit të Japonisë.
Provinca Ishikawa është më e goditura ku u raportuan shumica e viktimave dhe shkatërrimet më të mëdha të ndërtesave, kryesisht në qytetin Wajima ku thuhet se shumë persona ende janë nën rrënoja. Mijëra familje janë pa energji elektrike.
Japonia ka dislokuar mijëra ushtarë në operacionet e kërkim-shpëtimit ndërsa moti i keq ishte pengesë e operacioneve pas tërmetit.
Kryeministri japonez, Fumio Kishida kërkoi “përpjekje të gjithanshme” për të shpëtuar “sa më shumë jetë të jetë e mundur gjatë 72 orëve të para të katastrofës”.
Qeveria e tij ka diskutuar të ndajë rreth 4 miliardë jen (28 milionë dollarë) në përgjigje të katastrofës.
Forca të mëdha janë dislokuar për përpjekjet e kërkim-shpëtimit ndërsa numri i njerëzve të evakuuar në provincën Ishikawa u rrit në rreth 34 mijë ndërsa rreth 110 mijë familje në provincat Ishikawa, Toyama dhe Niigata janë ende pa ujë.