Diferenca të mëdha në standard, rroga, PBB për kokë banori. Publikimi i ri për Vitin e Ri “Rajonet në RM në vitin 2023” i Entit Statistikor i shpalos treguesit ekonomikë për jetën e qytetarëve në tetë rajonet e vendit përmes disa parametrave.
Në katër rajone, PBB-ja për kokë banori është mbi mesataren kombëtare, por në katër rajone të tjera standardi i qytetarëve është nën mesataren, shkruan analiza javore ekonomike.
Rrogat më të larta në rajonin e Shkupit, më të ulëtat në atë Verilindor…
Rroga mesatare bruto dhe neto më e lartë në vitin 2022 është regjistruar në Rajonin e Shkupit, ndërsa më e ulëta në Rajonin Verilindor (Kratovë, Kriva Pallankë, Likovë, Kumanovë, Rankovcë, Nagoriçan i Vjetër). Sipas të dhënave nga EShS-ja në Rajonin e Shkupit, rroga mesatare neto ishte 586 euro, që është shuma më e lartë në krahasim me shtatë rajonet e tjera. Krahasimi i pagave që ka bërë “Portalb”-i tregon se diferenca mes rrogës mesatare neto më të lartë dhe më të ulët është më e madhe se 165 euro.
Në vitin e analizuar, rroga mesatare neto në vend u rrit për 10,9%, por rritja nuk është proporcionale në tetë rajonet.
“Një rritje e tillë është si rezultat, mbi të gjitha, i rritjes së rrogës mesatare neto të paguar për punonjës në Rajonin Juglindor për 13,9%, në atë Lindor për 13,8% dhe në atë Verilindor për 12,2%” – thuhet në hulumtim.
“Hendek” i madh në bazë të PBB-së për kokë banori…
Rajoni Verilindor ka pjesëmarrjen më të vogël në PBB për kokë banori me vetëm 4,8%, ndërsa Rajoni i Shkupit me 44,1% ka pjesëmarrjen më të madhe në Prodhimin e brendshëm bruto në nivel shtetëror. Edhe ky publikim i ri i thekson “problemet” e vjetra siç është zhvillimi i pabarabartë ekonomik. Sipas PBB-së për kokë banori, më të “varfër” janë banorët e Rajonit të Pollogut, ku përfshihen komunat më të mëdha të Tetovës dhe Gostivarit, si dhe Jegunovca, Zhelina, Mavrova dhe Rostusha, Tearca e të tjera. Konkretisht, PBB-ja për kokë banoi në rajonin e Pollogut ishte 3.429 euro, që është larg mesatares në nivel shtetëror, e cila në vitin 2021 ishte pothuajse 6.500 euro. Në Rajonin e Shkupit është matur mesatarja më e lartë e PBB-së për kokë banori prej 8.603 euro. Diferenca sipas PBB-së për kokë banori mes rajonit “më të pasur” dhe atij “më të varfër” është 5.174 euro fantastike.
“Krahasuar me mesataren e RMV-së, Rajoni i Shkupit me indeks 33,4, Rajoni Juglindor me indeks 5,5, Rajoni i Vardarit me indeks 3,4 dhe Rajoni Lindor me indeks 1,4 kanë Prodhim të brendshëm bruto më të lartë për kokë banori. Të gjitha rajonet e tjera kanë Prodhim të brendshëm bruto nën mesataren e RMV-së. Në raport me mesataren kombëtare, Rajoni i Pollogut ka Prodhimin më të ulët të brendshëm bruto për kokë banori me një indeks prej 53,2”- thuhet në Publikimin e ESHS-së.
Dallime të mëdha ndërmjet rajoneve ka edhe sipas shkallës së papunësisë. Kështu, përqindje më të lartë e papunësisë prej 31,8% është regjistruar në Rajonin Verilindor, ndërsa më e ulët prej 4,5% në Rajonin Juglindor.
“Shkalla e punësimit në Rajonin e Vardarit, atë Lindor, Juglindor dhe të Pellagonisë në vitin 2022 është mbi përqindjen totale në nivel vendi, me ç’rast shkalla më e lartë e punësimit është regjistruar në Rajonin Juglindor, edhe atë 58,5. Rajoni Verilindor ka shkallën më të ulët të punësimit në vitin 2022. Për sa i përket shkallës së papunësisë, shkallë më të ulët të papunësisë prej 4,5 ka Rajoni Juglindor, në të cilin është regjistruar edhe shkalla më e lartë e punësimit” – thuhet në hulumtim.
Megjithatë, ekonomistët që i konsultuam thonë se nivelet e ulëta të papunësisë, në Rajonin Juglindor prej 4,5% dhe atë Lindor me 5.4%, nuk janë vetëm rezultat i faktit që punësimi është mesatarisht më i lartë, por edhe i largimit të fuqisë punëtore që nuk i “mbush” listat e të papunëve dhe kështu nuk ndikon në papunësinë. Dallimet e mëdha ekonomike dhe sociale midis tetë rajoneve planifikuese në vend janë një problem kronik. Qeveria në fund të vitit të kaluar ka nënshkruar kontrata për 129 projekte me vlerë të përgjithshme prej 13 milionë eurosh, të cilat duhet të jenë në funksion të zhvillimit të barabartë rajonal – infrastruktura rrugore lokale, ndërtimi i kopshteve, prokurimi i pajisjeve urbane dhe përmirësimi i cilësisë së jetës së qytetarëve. Se sa dhe si do të realizohen këto projekte mbetet për t’u analizuar./Portalb.mk